Rikthimi në Superiore i Dinamos, pas 9 vitesh në Kategorinë e Parë, është kurorëzuar me një fitore 2-0 në transfertën me Kastriotin, sfidë e luajtur në stadiumin e Kamzës. Fitore në transfertë edhe për Kukësin, që ka triumfuar 3-1 në shtëpinë e re të Egnatias.
Në Stadiumin e Kamzës, të besuarit e trajnerit Blendi Shkëmbi e kanë nisur me këmbën e mbarë sezonin. Blutë e kryeqytetit e kanë nisur mirë sfidën, duke shënuar që në minutën e parë. Protagonist është sulmuesi afrikan, Chinedu, të cilit i janë dashur më pak se 60 sekonda për të përshëndetur rrjetën. 22-vjeçari ka arritur të gjejë dhe golin e dytë në minutën e 19-të duke e bërë gjithçka më të lehtë për Dinamon, që ka arritur të administrojë avantazhin e krijuar deri në fund, pavarësisht një zgjimi të vonshëm të Kastriotit.
Ndërkohë, në Rrogozhinë, sfida mes vendasve të Egnatias dhe Kukësit ishte mjaft e luftuar nga të dyja krahët, por verilindorët kanë arritur të konkretizojnë si duhet rastet e krijuara. Në minutën e 22-të është Daci që ka zhbllokuar sfidën, ndërsa Peposhi dyfishoi shifrat në minutën e 43-të pas një aksioni të bukur. 2-0 për Kukësin, rezultat që mbylli dhe pjesën e parë të kësaj sfide. Në pjesën e dytë do të pritej minuta e 90-të që Egnatia të gjente golin në këtë sfidë me anë të Telushit. U duke se momentet e fundit mund të dhuronin ndonjë surprizë, por Milunovic në shtesë ka mbyllur të gjitha llogaritë, 3-1 për Kukësin.