RTSH Sport Live

Dinamo, Ermal Barushi: Me këmbë në tokë, mendojmë ndeshjen e radhës

  • 19/04/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Dinamo, Ermal Barushi: Me këmbë në tokë, mendojmë ndeshjen e radhës
Administratori i Dinamos, Ermal Barushi, i pranishëm në studion e emisionit “E Hëna Sportive” në RTSH

Në pritje të Dinamos. Themi kështu, sepse blutë e kryeqytetit, pas shumë sezonesh, kanë në dorë mundësinë për tu rikthyer aty ku e kanë vendin, në Kategorinë Superiore. Fitorja e fundit, 2-1 me Vorën, ndikuar dhe nga humbja e Burrelit në shtëpi, 0-1 përballë Korabit, i ka dhënë mundësinë skuadrës dinamovite të ngjitet në vend të parë në Grupin A, në kuotën e 38 pikëve. Për të folur për ecurinë e skuadrës, në studion e emisionit “E Hëna Sportive” në RTSH, ishte i pranishëm Administratori, Ermal Barushi, i cili ka deklaruar:  "Kemi bërë vetëm punën tonë. Jemi munduar të bëjmë më të mirën e mundshme, kemi patur disa oshilacione. Tani jemi me këmbë në tokë, mendojmë për ndeshjen e radhës. Kemi një objektiv, që ia kemi vënë vetes që në fillim dhe mendoj se është i arritshëm. Ndeshjet me një rival të cilësuar si i lehtë dhe që ka dalë nga objektivat, janë më të vështirat. Ndeshja me Vorën ishte më e vështirë se sa dy ndeshjet që kemi në vazhdim".

"Nuk kemi mbetur shumë të kënaqur nga paraqitja e skuadrës, pavarësisht fitores. Edhe Presidenti është larguar jo i kënaqur pas takimit që kishim në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes. Nuk e di, por duket sikur ekipi në disa momente sikur lëshon. Gjithsesi, personalisht nuk jam i shqetësuar. Këtë llojë problematike e kemi shfaqur me ekipet që qëndrojnë poshtë, ndërsa me rivalët kemi  bërë ndeshje shumë të mira. Edhe në javën e kaluar në Peshkopi, pavarësisht se u krijua një ide sikur Dinamo nuk luajti, ne kemi luajtur me një sulmues dhe pesë mesfushorë, për të mos dalë pa pikë".

"Tensioni me Korabin? Kjo histori nuk i intereson më askujt. Korabi ndeshjen e parë e fitoi, ndeshjen e dytë e humbi. Pamjet janë të qarta dhe nuk ka nevojë për koment. Si mund të shkojë një ekip nga Tirana dhe të provokojë në Peshkopi? Janë gjëra që nuk kanë sens. Gjithsesi, nuk dua ti kthehem kësaj historie. Njerëzit që kanë qënë atje e dinë se çfarë ka ndodhur, FSHF është njoftuar, të gjithë strukturat kanë qënë në dijeni të situatës. Për ne është ndeshje e mbaruar, të gjitha skuadrat janë njëllojë, si Korabi, si Burreli, si Vora. Të mendojmë për ndeshjen e radhës dhe të arrijmë objektivat".

"Arbitrimi? Ne jetojmë në një vend që problematikat janë të mëdha, nga kushtet, nga pagesat, nga shumë faktorë. Secila ndikon në nivelin e kësaj situate. Unë do them vetëm një gjë: ai arbitër që ka gjykuar Burrelin, që po ankohet kaq shumë, ka gjykuar edhe ndeshjen tonë. Edhe unë kam kontestimet e mia, por në fund të kampionatit gjithsecili mer atë që meriton".

"A ka probleme Dinamo me pagesat? Kjo në biznes nuk është pyetje fare, nuk ekziston. Ai zotëria(i referohet Fehmi Mëziut, administratorit të Korabit) të shikojë hallin e shtëpisë së vetë, sepse i gjithë opinioni sportiv e njeh se kush është. Nuk dua ti kthehem më asaj historie, për respekt të gjithë njerëzve. Dinamo nuk ka asnjë llojë problemi, është njëllojë si të gjithë klubet e tjera në Shqipëri".

"Interesim i sponsorëve? Ka njerëz të interesuar që të hyjnë tek Dinamo, po flasim për një klub legjendë, më shumë nuk mund të them. Shpresojmë të arrijmë objektivin dhe vitin tjetër të bëjmë një sezon shumë të mirë në Superligë".