RTSH Sport Live

Dinamo, fitore në frymën e fundit

  • 19/01/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Dinamo, fitore në frymën e fundit
Blutë kanë mundur skuadrën e Kukësit me rezultatin 1-0, gol i Imamit në minutën e 89-të

Dinamo bën surprizën. Fiton 1-0 me Kukësin, në ndeshjen e prapambetur të javës së 16-të në Abissnet Superiore, e cila u shty me disa ditë për shkak të rasteve të shumta me COVID-19 në ekipin verilindor. Me këtë humbje Kukësi nuk ka mundur të ngushtojë diferencën me Tiranën kryesuese ndërsa, Dinamo, me fitoren rikonfirmon shpresën për të kërkuar më shumë se sa mbijetesa. Në stadiumin “Elbasan Arena”, (2)  skuadra kryeqytetase shfaqet menjëherë rrezikshëm me anë të Sofranac. (6′) katër minuta më vonë është Kukësi me Ibraimin, që depërton bukur brenda zonës, por gjyqtari anësor, sinjalizon pozicion jashtë loje.

Pas 15′ lojë ndërrim i detyruar te Kukësi. Milunoviç lë fushën e lojës për shkak dëmtimi dhe në vend të tij aktivizohet Basha. Rasti i parë i rezikshëm në këtë ndeshje vjen në 17’.  Goditje dënimi spektakolare e Ibraimit, e po aq mirë përgjigjet edhe portieri Tafas i cili grushton jashtë kuadratit topin. 20’ Aksion i shkëlqyer i Ibraimit nga e majta. Topi i tij në qendër devijohet nga Samake e mbërrin te Maliqi në të djathtë, por ky i fundit vonohet dhe nuk ia del që të gjuajë drejt kuadratit, duke fituar vetëm një goditje nga këndi.

26’ Dominim absolut i Dinamos në këto minuta, duke i mbyllur verilindorët në gjysmëfushën e tyre, pa i lejuar të shfaqen rrezikshëm në fazën ofensive e duke u përpjekur vetëm të largojnë topin nga zona e tyre. 34’ Faizhao del me shpejtësi përpara dhe detyron Simonin të largojë topin me këmbë jashtë zonës. Basha përfiton dhe provon portën e boshatisur nga distanca, por Sofranac kthehet me shpejtësi dhe me kokë largon rrezikun nga porta e tij.

Me portat e praprekura mbyllen 45 minutat e para. Me fillimin e pjesës së dytë, Dinamo shfaqet sërish rrezikshëm. (47) Demiri nuk shfrytëzon si duhet një top, pasi goditja e tij përfundon mbi traversë. 52’ Kukësi me anë të një presingu, mundohet të ndalë ofensivën e Dinamos, e duke u përpjekur të krijojë rrezikshmëri para Simonit. Minutat e fundit të takimit janë shumë emocionuese.

 (87) Një gjuajtje e Hilës devijohet nga Siljanovski dhe kthehet rrezikshëm drejt portës së mbrojtur nga Simoni por ky i fundit e devijon jashtë. Një minutë para përfundimit të kohës së rregullt (89), Dinamo shënon golin e fitores. Pas një goditje dënimi, topi shkon te Imami i cili në një pozicion diagonal, nga ana e djathtë e sulmit e dërgon sferën në rrjetë.