RTSH Sport Live

Dinamo “godet” fort në merkato

  • 15/07/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Dinamo “godet” fort në merkato
Zyrtarizon Ibraimin, Demirin dhe Harizajn. Nis ndërtimi i akademisë

Dinamo nuk ndalet në merkato. Besir Demiri, Agim Ibraimi dhe Romeo Harizaj janë tre goditjet e mëdha të klubit kryeqytetas në mesin e një muaji që vazhdon të jetë i nxehtë edhe për merkaton e “Nëndetëses”. Mbrojtësi 26-vjeçar që vjen pas një sezoni të suksesshëm me Kukësin, ka hedhur firmën në kontratë dhe do të bashkohet me grupin që në seancën e parë stërvitore të së enjtes në kompleksin “Football Republic” për të nisur punën në urdhrat e trajnerit Shkëmbi.

 Marrëveshja është arritur edhe me golashënuesin më të mirë të Kukësit, Agim Ibraimi, i cili është edhe goditja më e madhe për Dinamon në këtë dritare të merkatos. 32 vjeçari i lindur në Maqedoninë e Veriut, e mbylli përfundimisht aventurën me klubin verilindor ku regjistroi 15 gola dhe do të jetë një nga lojtarët më të rëndësishëm të klubit kreqytetas që deri nëkëto momente ka regjistruar 23 lojtarë por nuk do të ndalet me kaq.

Portieri i Apolonisë, Romeo Harizaj është një tjetër emër që pasuron organikën e Dinamos dhe i jep trajnerit korçar më shumë alternativa për katërkëndëshin. Deri në përfundim të merkatos, klubi synon të ndërtojë një organikë me 36 lojtarë pasi këtu përfshihet edhe ndërtimi i skuadrës së nën 21 vjeçarëve që do të drejtohet nga Bledi Kadiu, i cili do të jetë njëkohësisht edhe ndihmës i dytë i Bledi Shkëmbit.

Skuadra do të vazhdojë fazën përgatitore në Tiranë nsdërsa në 26 korrik do të udhëtojë drejt Pogradecit për pjesën e dytë të kësaj faze. Klubi synon të ngrejë gjithashtu edhe një akademi moderne duke ndërtuar fillimisht strukturën drejtuese të trajnerëve të moshave ku Erion Xhafa, Gerd Haxhiu, Erald Deliallisi, Akil Jakupi, Joni Zajmi, Aleko Bregu dhe Lisandro Zhupa do të drejtojnë të gjithë sektorin zinxhir duke nisur që nga 9 vjeçarët deri në ekipin e 19 vjeçarëve.