RTSH Sport Live

Dinamo kërkon fitoren e parë pas 11 vitesh

  • 16/03/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Dinamo kërkon fitoren e parë pas 11 vitesh
Çerekfinalet e Kupës rikthejnë përplasjen, por Skënderbeu nuk është më superfuqi

Dinamo mund të jetë një skuadër e Kategorisë së Parë, por kjo nuk do ta penalizojë në objektivin për të mundur Skënderbeun në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë. Arsyeja është e thjeshtë, përballja me Korçarët vjen në një moment ku forca e dy skuadrave është tepër e balancuar, me blutë që synojnë promocionin dhe Skënderbeun që rrezikon rënien.

Praktikisht, një ndeshje e balancuar në potencial dhe statistika, gjë që e bën të paparashikueshme sfidën mes tyre. Në fakt, në 15 përballje mes tyre, që nga viti 2005, diferencën e bën vetëm një fitore më shumë në favor të Dinamos: 7 kundër 6 të bardhekuqve.

Por duhet marrë në konsideratë dhe fakti, që historia ka ndryshuar në dekadën e fundit, me suksesin e fundit të kryeqytetasve të arritur pikërisht 11 vite më parë, në 30 janar. Që atëherë, në 6 sfidat direkte, korçarët nuk njohin humbje, me pesë fitore dhe një barazim.

Këtë herë gjërat do të jenë ndryshe: Dinamo, me ndryshimin në pankinë, nuk e ka humbur orientimin drejt objektivit Superiore, duke u ngjitur në vendin e parë pas fitores 3-0 në derbi ndaj Partizanit B. Ndërkohë, Skënderbeu është në vend të fundit në Superiore, me 16 pikë pas 24 javësh.

Situatë që e bën shumë interesante përballjen e emrave të traditës, që janë praktikisht në dorëzimin e stafetës, me kryeqytetasit që bëhen gati të rikthehen në elitë pas një mungese që nga sezoni 2011/2012 dhe korçarët që rrezikojnë të zbresin aty ku nuk shihen që nga 2008/2009.