RTSH Sport Live

Dinamo “pirate” në Korçë

  • 24/10/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Dinamo “pirate” në Korçë
Goli i Çinedu mjafton për ta kthyer Shkëmbin fitimtar kundër Skënderbeut

Blendi Shkëmbi kthehet në Korçë me Dinamon e tij, ashtu si e kishte ëndërruar, edhe pse fitorja 0-1 në polemikat e krijuara nga mungesa e VAR, një lloj trishtimi se e mori kundër Skënderbeut në të cilin ishte një emblemë, ia ka lënë. Vendosi një gol i Çinedu që rikthen blutë tek suksesi, pas shthurjes në Shkodër. Vendi i fundit i renditjes nuk përligj aspak ambicjet e fillimit të sezonit e Memelli dëshironte fort një sukses, të parin në kampionat, duke i dhënë jetë një ndeshje të luftuar edhe pse në pjesën e parë me fare pak raste shënimi e ku goditjet standarde u bënë mënyrë e preferuar e dy skuadrave për të impenjuar Rexhepin e Harizajn.

Mbrojtjet rezistojnë në tentativat e Ibraimit e Marës, ndërsa rasti më i mirë i pjesës së parë krijohet në një episod pozicioni jashtë loje. Ndalet festa e Mensah në minutën e 25 duke dëshpëruar bardhekuqtë, që megjithatë u përpoqën të shfrytëzonin momentin, për të shkuar në avantazh në dhomat e zhveshjes, por Meksi në të 35 e Vrapi në kohën shtesë të së parës nuk ishin të mjaftueshëm për të thyer barrikadën blu dhe një Harizaj të kujdesshëm. Një ekuilibër në lojë që i bëri teknikët të mos ndryshojnë asgjë, me ndeshjen që u bë më emocionale vetëm për shkak të agonizmit të minutave në të cilat askush nuk po zgjidhte dot ndeshjen.

Cinedu ishte vetëm i bukur për tu parë në rovjeshatën e minutës së 52’, ndërsa konkluzioni i Marës për tu harruar 5 minuta më pas. Panikun më të madh në zonën blu e krojoi vetë Harizaj, që për fatin e Shkëmbit rikuperoi ndaj Mensah duke evituar më të keqen, por mungesa e VAR këtë herë nuk do të kalojë pa polemika, duke filluar nga pretendimi i Skukës në të 66, të cilin arbitri Koci e konsideroi lojë të rregullt, mes protestave kryeqytetese.

E megjithatë, ndeshje vendoset pikërisht në këto moment tensioni, edhe këtu jo pa debate për një prekje me dorë në nisje të aksionit, që coi Haxhiu të shërbente për Çinedun në të 69, përpara se sulmuesi të mposhtte Rexhepin. Skënderbeu u zhduk nga fusha në një tronditje mentale që Memelli duhet tia evitonte të tijve, në kohën kur Dinamo luajti qetë dhe me vetëbesim.

Një tjetër episode i kontestuar, këtë herë penalizues për kryeqytetasit është prekja me dorë e Dumfur, në krosimin e Ibraimit, ndaj të cilës Koci lejoi lojën të vazhdonte, por që nervozoi jo pak dy skuadrat, që e mbyllën në tension, një tension që ndoshta do të ishte venitur nëse drejtësinë do të konfirmonte VAR. Dinamo ngjitet në 9 pikë e ngrihet në këmbë pas humbjes duke treguar karakter, ndërsa korcarët janë të fundit e asgjë nuk duket premtuese kur po mbyllet faza e parë e kampionatit.