RTSH Sport Live

Dinamo, Shkëmbi kundër shtyrjes së ndeshjes ndaj Kukësit

  • 18/01/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Dinamo, Shkëmbi kundër shtyrjes së ndeshjes ndaj Kukësit
Trajneri i kryeqytetasve, Bledi Shkëmbi ka komentuar në funksion të sfidës me verilindorët

Dinamo ka mbajtur konferencën e parë për shtyp për vitin 2022, e cila nisi ndryshe nga herët e tjera. Paraditen e së martës, përpara mediave ishte drejtori i përgjithshëm, Ermal Barushi, trajneri Bledi Shkëmbi së bashku me stafin teknik si dhe futbollistët e afruar së fundmi, Sabjen Lilaj, Rexhinaldo dhe Denison Silva.

Ishte drejtori i përgjithshëm, Barushi, i cili hapi konferencën duke u shprehur: “Presidenti ka dhënë një mbështetje shumë të madhe për të ardhmen, pavarësisht pritshmërive, që nuk kanë qenë të larta. Kemi bërë dy afrime, që njihen në botën e futbollit, Devollin dhe Abazajn që është përgatitës atletik. Investimi në klub po bëhet tërsor, si në aspektin administrativ, ashtu dhe në atë financiar”.

Të mërkurën nëndetësja blu do të përballet me Kukësin në “Elbasan Arena”. Trajneri Bledi Shkëmbi ka shpjeguar se si e shikon sfidën e radhës.

“Pa i hequr asnjë meritë ekipit të Kukësit për pozicionin që ka, por është një ndeshje si gjithë të tjerat. Kukësi kërkon ta fitojë, ashtu siç kërkojmë ta fitojmë edhe ne për t’u larguar nga pozicioni në të cilin ndodhemi dhe jam i bindur se do të jetë një ndeshje ndryshe, sepse do të jetë një ekip që do të japë maksimumin për ta fituar ndeshjen”.

Më tej numri një i stolit të bluve  foli dhe për shtyrjen e ndeshjes kundër verilindorëve për shkak të Covid 19.

“Këtë variantin e Kukësit nuk e kuptuam se për çfarë u shty ndeshja, u shty për stadiumin, për Covid, për temperaturën, për… nuk e di, por për ne pak rëndësi ka. Në fakt ne do të donim ta luanim ditën që ishte, sepse tani neve na ngjeshet shumë kalendari, ndërkohë që Kukësi nuk ka ndeshje Kupe. Por pavarësisht kësaj ne jemi gjithmonë zemërgjerë dhe jemi sportivë”.

Pak ditë më parë trajneri i Kukësit, Diego Longo u shfaq i revoltuar me stafin e Dinamos, duke i cilësuar si spiunë. E për këtë çështje, Shkëmbi u shpreh:  “Longo si duket ka parë shumë filma, me italianë, me partizanë, me spiunë. Atje është një kompleks që stërviten tre skuadra,  jam i bindur që asnjë klub nuk do e dëshironte këtë situatë. Në atë moment që ka dalë ajo foto ne kemi qënë bashkë me stafin e Partizanit dhe kemi pirë kafe, vetëm kaq dhe nuk ka ndodhur ndonjë gjë tjetër. E njëjta gjë ka ndodhur dy muaj radhazi kur ne stërviteshim të parët dhe Kukësi vinte pas nesh dhe shikonte stërvitjen”.

Në fund tekniku 42-vjeçar foli dhe për merkaton: “Po, në fakt presim dhe një lojtar, ndoshta këto dy tre ditë do e marim vesh të sigurt, do vijë të firmosë apo jo. Besojmë se do të realizohet, sepse në parim kemi rënë dakord. Lojtari është një qendërmbrojtës”.

Përpara mediave folën dhe Sabjen Lilaj e Rexhinaldo.

“Rikthimi te Dinamo, siç e kam theksuar edhe më parë është një ekip i madh, kjo është pika kryesore, pavarësisht se Skënderbeu ishte në nivele të tjera. Organizimi i klubit Dinamo besoj është në nivelet e Skënderbeut, kështu që me punë besojmë se do të arrijmë në ato nivele”, ka theksuar Lilaj.

Ndërkohë, Rexhinaldo është shprehur: “Unë jam një lojtar profesionist, e di që kam disa kohë pa luajtur, kam vetëm tri ditë stërvitje, por do të bëj maksimumin për skuadrën”.