RTSH Sport Live

Disiplina, e ashpër me Spotin e Memaliajn

  • 13/03/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Disiplina, e ashpër me Spotin e Memaliajn
Ndëshkohet me gjobë edhe Kastrioti dhe Naftëtari, kapiteni Karakaçi “pushon” dy javë

Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, në mbledhjen e tij të mbajtur të hënën, ka marrë në shqyrtim dhe ka ndëshkuar episodet që u vërejtën përgjatë fundjavës në Kampionatet Kombëtare. Kështu, sa u përket ndëshkimeve kolektive, Kastrioti në Kategorinë Superiore, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në terrenin sportiv, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë, ashtu sikundër në Kategorinë e Dytë, me të njëjtin motivacion, Sopoti, Naftëtari dhe Memaliaj, dënohen me gjobë në masën 100.000 lekë.

Ndërkaq, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, lojtari i Kastriotit, Abaz Karakaçi, zyrtarët e Burrelit, Klevis Gjoka dhe Dorjan Bubeqi, por edhe lojtari i Naftëtarit, Andreiono Cërriku, lojtari i Valbonës, Xhynejt Cutra, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, dënohen të gjithë me nga 2 ndeshje pezullim nga aktiviteti. Për protestë ndaj të zyrtarit të ndeshjes, zyrtari i Valbonës, Gazmend Fuçia, dhe ai i Zyrtari i Devollit, Armir Lukna, dënohen përkatësisht me nga 4 dhe 3 ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Më i ashpër, Komisioni i Disiplinës ka qenë me lojtarët e Sopotit, Erando Seferi dhe Endri Goçi, por edhe me lojtarin e Memaliajt, Djonis Ajdini, të cilët, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, janë ndëshkuar me nga 8 ndeshje pezullim nga aktiviteti.