RTSH Sport Live

Disiplina e dënoi me një vit përjashtim, presidenti i Prishtinës vazhdon me akuzat

  • 14/01/2021
  • |
  • Kosova
Disiplina e dënoi me një vit përjashtim, presidenti i Prishtinës vazhdon me akuzat
Remzi Ejupi ka reaguar pas dënimit të dhënë nga Komisioni i Disiplinës: Ky është realiteti! Ky është futbolli i Kosovës, i njollosur dhe i ngulfatur vetëm nga një grup i vogël njerëzish!

Ka mjaftuar një intervistë e dhënë në media dhe presidenti i Klubit të Prishtinës, Remzi Ejupi e ka pësuar. Organet përkatëse, më konkretisht, Komisioni i Disiplinës pranë FFK-së, kanë marrë në shqyrtim gjithçka që është thënë nga Ejupi, akuzat e ngritura prej tij dhe nuk ka vonuar ndëshkimi: pezullim për një vit nga të gjitha aktivitetet futbollistike.

I menjëhershëm ka qënë dhe reagimi i Ejupit, i cili ka vazhduar me akuzat e tij duke theksuar se ky është futbolli në Kosovë, i njollosur dhe i i ngulfatur vetëm nga një grup i vogël njerëzish.

Vendim i Komisionit Disiplinor

Komisioni Disiplinor i shkallës së parë në përbërje; Met  Çeku – kryetar dhe Dukagjin Zefi, Luan Salihu, Avni Shala dhe Bekim Behrami – anëtarë, në mbledhjen e mbajtur me datë 13.01.2021 shqyrtoi procedurën e hapur disiplinore nga mbledhja  e datës 30.12.2020 ndaj kryetarit të FC PRISHTINA, z. Remzi  Ejupi  për shpifje dhe përhapje të pavërtetave ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës dhe anëtarëve të saj në shkrimet e publikuara si dhe incizimet TV të transmetuara në insport.com (Gazetë online) dhe  për  të njëjtat duke iu referuar  Rregullores disiplinore neni 61 paragrafi 1 pika b sjelli këtë;

V E N D I M

REMZI  EJUPI; kryetar i FC PRISHTINA  nga Prishtina për shpifje dhe përhapje të pavërtetave ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës dhe anëtarëve të saj  dënohet me ndalesë në kryerjen e të gjitha funksioneve zyrtare në klub në raport me Federatën e Futbollit të Kosovës  në kohëzgjatje për ; 1 (një)  vit .

A r s y e t i m

Komisioni Disiplinor i shkallës së parë në rastin e shqyrtimit të rastit për bazë pati të gjitha shkrimet e publikuara  si dhe incizimet televizive të transmetuara në; Insport.com (gazetë online) nga ana e kryetarit  të FC Prishtina, z. Remzi Ejupi i cili shpif dhe përhap të pavërteta për Federatën e Futbollit të Kosovës në pretendimet e tij të cituara përmes fjalëve; “skandali“ “keqpërdorimet”, “privatizimi“ , “grup njerëzish”, “infektimi i përzgjedhësit Bernard Challandes”, “humbja e ndeshjes ndaj Sllovenisë” dhe “dyshimet në bastore” e të tjera, për të cilat z. Remzi Ejupi ishte i obliguar që në kohën e përcaktuar nga ana e Komisionit të sjellë fakte dhe të sigurojë prova për të gjitha këto të thëna, por  një gjë e tillë nuk ndodhi, andaj komisioni disiplinor i shkallës së parë duke respektuar Dispozitat e Rregullores disiplinore;  neni 61 Paragrafi 1 pika b; sjellë vendimin e lartshënuar për dënimin e z. Remzi Ejupi kryetar i FC Prishtina  me ndalesë për kryerjen e të gjitha  funksioneve zyrtare në klub në kohëzgjatje për; 1 (një) vit  në raport me Federatën e Futbollit të Kosovës.

KËSHILLA  JURIDIKE

Pala e pa kënaqur në këtë vendim ka të drejtë ankese drejtuar Komisionit disiplinor të shkallës së dytë; komisionit për ankesa në afatin kohor prej 8 (tetë) ditëve nga data e sjelljes së vendimit, respektivisht pranimit të tij. Ankesa e ushtruar nga ana e palës së ankimuar nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit.

REAGIMI I REMZI EJUPIT

Të nderuar sportdashës,

Siç jeni njoftuar tashmë, mbrëmë – natën - Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e shqiptoi një dënim ndaj meje me një vit moskryerje të funksionit të presidentit të FC Prishtinës. Këtë FFK’ja e bëri natën, gjë që më së miri e tregon organizimin e tyre të mbrapshtë.

Sido që të jetë, ky dënim nuk i shqiptohet vetëm një delegati të FFK’së, por është tentim për ta goditur mendimin ndryshe dhe fjalën e lirë nga ana e disa individëve të cilët e kanë kapur dhe po e mbajnë në grusht të shtrënguar FFK-në dhe futbollin e Kosovës.

Siç e dini, prej anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA në FFK janë mbi 40 milionë euro të hyra. Kur unë se delegat i FFK’së, apo edhe delegatë të tjerë, nuk e dimë asnjëherë se ku janë apo ku kanë shkuar ato miliona euro, aq më pak e di opinioni i gjerë. Andaj, kam kërkuar sqarim për këtë dhe e kam propozuar një auditim të pavarur dhe të besueshëm në FFK dhe se e kam shprehur qëndrimin tim se nuk u besoj raporteve financiare që përpilohen sipas dëshirës së krerëve të FFK’së, të cilat ndoshta përpilohen po ashtu natën.

Si delegat i FFK’së, asnjëherë nuk e kam pasur të qartë se ku kanë përfunduar paratë e biletave të gjithë atyre ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës!

Është detyrë e jona si delegatë të federatës të kërkojmë llogari nga ata që e udhëheqin FFK’në dhe Kombëtaren e Kosovës edhe për rezultatet e skuadrës shtetërore, sepse ajo është ndër të rrallat që e bën çdo qytetar të Kosovës të lumtur me vendin e vet, ku dihet se në segmente tjera Kosova jon nuk është që i ka punët mirë.

Është krejt e natyrshme që një delegat të kërkojë sqarime nga kryesia aktuale e FFK’së ta thotë të vërteten e mungesës së shumë futbollistëve në ndeshjet vendimtare të Kosovës, me ç’rast, duke e humbur shansin ideal të kualifikimit në Kampionatin Evropian Kosova e humbi mundësinë e përfitimit të 15 milionë eurove, me të cilat futbolli ynë do të kalonte automatikisht në një nivel tjetër.

Është krejt normale që delegatët – të cilët që nga pas lufta kanë investuar mbi 100 milionë euro në futbollin e Kosovës – të kërkojnë llogari dhe sqarime për pagat dhe shpenzimet që bëhen në FFK, nga punësimet pa konkurse në FFK, për mënyrën se si ndahen paratë e destinuara nga UEFA për klubet në krizë që mezi mbijetojnë dhe për mënyrën se si FFK i ndan ato në përpjekje për t’i stopuar te delegatët apo klubet tjera pyetje të ngjashme si këto të mijat.

Këtij qëllimi bukur shumë ia ka arritur. Këto pyetje planifikoja t’i bëja në Kuvendin e ardhshëm, i cili është dashtë të mbahej qysh moti. Por që ata që e kanë kapur FFK’në vazhdojnë të marrin kohë dhe njëkohësisht të punojnë në terren për të stopuar pyetje si këto.

Mua ma pamundësuan pjesëmarrjen në Kuvend dhe parashtrimin e këtyre pyetjeve duke më dënuar në këtë formë. Dënimi ndaj fjalës së lirë dhe mendimit ndryshe ishte opsioni i vetëm i tyre për të më pamundësuar që këto pyetje t’i bëj aty ku është vendi – në Kuvend.

Ky është realiteti! Ky është futbolli i Kosovës i njollosur dhe i ngulfatur vetëm nga një grup i vogël njerëzisht!