RTSH Sport Live

Dita e së vërtetës për Kukësin

  • 24/05/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Dita e së vërtetës për Kukësin
Grumbullimi në Prizren për të shmangur presionin, Hallaçi pa dy titullarë

Objektivi është shpëtimi dhe në këtë kontekst ndeshja në “Kukës Arena” kundër Erzenit është vendimtare. Kukësi duhet të mbajë pas me çdo kusht kundërshtarin, që vjen në këtë përballje me 39 pikë, dy pas bluve. Një fitore e skuadrës së Hallaçit do të ishte praktikisht mbijetesë dhe tekniku do të bëjë të pamundurën për të mos e komplikuar edhe më tej situatën.

Në anën tjetër, Deliallisi që ka marrë frenat e skuadrës në dorë pas largimit të Kapllanit, e ka të qartë kërcënimin që vjen nga pas. Edhe për Erzenin fitorja është alternativa e vetme, gjë që Kukësi nuk mund ta lejojë. Hallaçi mund të besojë te një Barbosa të kthyer në formë e një Taipi lideri i kudondodhur, por probleme me formacionin ka. Ebert ka plotësuar numrin e kartonëve dhe do të jetë i skualifikuar kundër Erzenit.

Shqetësimi më i madh është dëmtimi i Lamçes. Mbrojtësi është goditur në kavilje dhe nuk është i disponueshëm, kështu që në vend të tij do të jetë Momoh në mesfushë. Nigeriani  nuk ishte titullar në Ballsh për shkak të një lodhje muskulare, por është gati tani të luajë nga fillimi në ndeshjen vendimtare me Erzenin.

Kukësi ka bërë të gjitha përgatitjet për këtë ndeshje, madje është grumbulluar në Prizren, për të mbajtur skuadrën larg presionit. Blutë nuk duhet të zhgënjejnë në këtë ndeshje, sepse një rrëshqitje tjetër mund të kishte pasoja të rënda dhe Hallaçi e të tijtë e dinë mirë…