RTSH Sport Live

Dita Olimpike në Shkodër gjallëron të rinjtë

  • 07/05/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Dita Olimpike në Shkodër gjallëron të rinjtë
Edicioni i gjashtë tregon talentin e nxënësve të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme

E premtja ishte për ditën olimpike në Shkodër në edicionin e gjashtë të saj, që u zhvillua në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”. Nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme zhvilluan aktivitete të ndryshme, ndërsa Dita Olimpike përkonte me 30-vjetorin e krijimit të Akademisë Olimpike. Të pranishëm kanë qenë presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Gerti Shima, si dhe drejtoresha e Akademisë Olimpike, Eda Çaushi. Jo vetëm kaq, por dhe drejtues të Drejtorive Arsimore të Lezhës dhe Shkodrës, si dhe zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Gjimnastikës, Leonard Lulaj.

Të gjithë të pranishmit kanë përshëndetur aktivitetin, kurse Izmir Smajlaj ka bërë hyrjen në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”, ndërsa ka ndezur dhe flakën olimpike. Nxënësit dhe të rinjtë performuan në disiplinat gjimnastikë, atletikë, mundje, mma, taekëondo dhe danc sportiv. Gjatë performancës së të rinjve spikati dhe banda muzikore “The door”, e cila ishte e përbërë nga të rinj me aftësi të kufizuara. Në përfundim Koordinatori i Akademisë Olimpike, Ardit Mani, u dorëzoi pjesëmarrësve certifikatat dhe Kupat e kompeticionit.