RTSH Sport Live

Drejtori Sportiv, Murati: Egnatias nuk i mungon asgjë

  • 22/03/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Drejtori Sportiv, Murati: Egnatias nuk i mungon asgjë
I ftuar në emisionin “E HËNA SPORTIVE” në RTSH , Drejtori Sportiv i rrogozhinasve, Klevis Murati ka folur për të tashmen dhe të ardhmen e skuadrës

Kategoria e Parë, Grupi B, ka një lider: është Egnatia. Në ndeshjen e fundit rrogozhinasit kanë marrë një fitore 3-1 përballë një rivali direkt siç është Besa e Kavajës. 31 pikë të grumbulluara, një diferencë prej tetë pikësh nga ndjekësi më i afërt që është Tomori, objektisi Superiore duket mëse i arritshëm. I ftuar në emisionin “E HËNA SPORTIVE” në RTSH , Drejtori Sportiv i rrogozhinasve, Klevis Murati ka folur për të tashmen dhe të ardhmen e skuadrës:

“Fitorja me Besën? Ndihemi të kënaqur për pikët e marra. Normalisht, të tilla ndeshje janë të vështira, kanë rëndësinë e vet, për më tepër dy ekipe fqinje. Në fund morëm pikët, ajo që është dhe më e rëndësishmja dhe kemi vazhdimësinë”.

“Ne kishim kërkuar që ndeshja të zhvillohej në Elbasan Arena. Fusha ku luajmë aktualisht, ajo e Shkumbinit, kishte dyndje ndeshjesh, për këtë edhe terreni çalonte pak. Për këtë arsye kërkuam të luanim në Elbasan, pasi kemi besim në cilësitë e ekipit dhe aty menduam se do të dilte një ndeshje akoma më e bukur, ndoshta me një rezultat edhe më të mirë”.

“Diferenca që kemi krijuar na bën mirë. Kemi kohën e pushimit, ndërsa dy ndjekësit tani, Besa dhe Tomori ndeshen mes tyre. Egnatia është komode, pikët i ka, vazhdimësia ka qënë shumë e mirë. Por akoma ska mbaruar gjithçka, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Kësaj skuadre nuk i mungon asgjë, jemi të qetë në rrugën tonë”.

“E ardhmja? Jemi në komunikim të vazhdueshëm, në përditshmëri, me stafin dhe presidentin. Egnatia nuk është ndërtuar për të qënë për një vit. Mbi 60% e lojtarëve kanë kontrata dy apo tre vjeçare. Në përfundim do të ulemi të bisedojmë. Në përgjithësi jemi të kënaqur nga i gjithë grupi. Ky grup mund të jetë dhe për disa vite tek Egnatia”.

“Stadiumi? Egnatia ka treguar se premtimet e dhëna i mban. Edhe ndërtimi i stadiumit do të jetë një premtim i mbajtur. Punimet vazhdojnë, jemi të qetë dhe komod në atë në të cilën kemi premtuar”.