RTSH Sport Live

Drita “ndriçon” Europën kosovare

  • 23/07/2021
  • |
  • Kosova
Drita “ndriçon” Europën kosovare
Barazim historik i skuadrës nga Gjilani kundër Fejnordit

Barazim zhgënjyes për Fejnordin por historik për Dritën e Gjilanit. Në stadiumin e qytetit juglindor të Kosovës u luajt një nga aktet më të lavdioshme të futbollit kosovar pasi gjigandët nga qyteti-port i Holandës, fitues të Ligës së Kampioneve në vitet 70, nuk arritën të shkonin më shumë se një barazim pa gola në një ndeshje që e kishin vlerësuar si të kalueshme. Skuadra e drejtuar nga Ardian Nuhiu arriti tu bënte ballë bardhekuqve që e shënjestruan katërkëndëshin plot 12 herë por nuk arritën të kalonin vijën fatale të portës së Malokut.

 Barazim zhgënjyes e cilëson faqja e specializuar holandeze ëëë.football-oranje.com, ndërsa shton se gjatë pjesës së parë, Feynoord hasi në murin e gjilanasve të cilët arriën të bënin rezistencë deri në fund duke e shënjestruar vetëm një herë portën e skuadrës holandeze. Ish mesfushori i Vllaznisë, Erion Vucaj dhe ish mbrojtësi i Partizanit, Ardian Cuculi u rreshtuan titullarë në këtë përballje duke regjistruar një ndeshje shumë pozitive në aspektin personal.

Sfida e kthimit në mitikun “De Quipp” të Feynoordit do të vendosë edhe fatin e skuadrës që do të kalojë në fazën tjetër por gjithsesi kjo është një arritje e madhe për Dritën që nuk pati fat në short pasi eleminoi në raundin e parë Decicin e Tuzit.