Dritan Mehmeti tanimë e ka realizuar objektivin e ngjitjes së Dinamos në Kategorinë Superiore. Që nga 28 shkurti kur u emërua në krye të bluve, Mehmeti ka realizuar shtatë ndeshje me Dinamon në të cilat ka marrë katër fitore, 1 barazim dhe 2 humbje. Në një intervistë për Radio Televizionin Shqiptar, Dritan Mehmeti ka treguar dhe vështirësitë e detyrës së tij
"Momenti në të cilën mora unë skuadrën ishte në një moment jo të përshtatshëm. Për më tepër që kishte probleme në aspektin fizik, por dhe atë psikologjik. Pasi kisha gati 40 përqind të skuadrës me probleme dëmtimesh, por gjithashtu kishte dhe një ngërç psikologjik, i cili vinte nga rezultate jo të mira. Pra nga katër ndeshje ishte marrë vetëm një pikë dhe normal që nga gjashtë pikë e vendosur përpara e kaluan dy ekipet që ishin pas Skënderbeu e Flamurtari. Pra gjendja nuk ishte e duhur, por megjithatë pikënisja e këtij rrugëtimi nisi që pas humbjes me Apoloninë pas së cilës lojtarët treguan karakter", thotë Dritan Mehmeti për RTSH Sport.
Presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi, tashmë e ka konfirmuar stafin teknik të bluve, që përbëhet nga dyshja Mehmeti – Pinari. Për Mehmetin ky është vlerësim për punën e tij
"Normalisht është një vlerësim për të gjithë stafin dhe shpresoj që ne të jemi të vendosur për të bërë një analizë të hollësishme për të vënë pikat mbi "i" për të gjithë komponentët me të cilët duhet të ndërtohet një skuadër. Kjo duke nisur nga gabimet që kemi bërë më përpara. Pra të strukturojmë një skuadër me vlera ashtu sikurse i takon kësaj Dinamoje", shpjegon Mehmeti
Ndërkohë një rol të veçantë tek blutë ka luajtur dhe drejtori teknik Faruk Sejdini për të cilin vlerësimet janë maksimale nga trajneri Mehmeti
"Ka qenë insistimi im që të jetë pjesë e skuadrës sepse ai është një nga legjendat e skuadrës dhe besoj se ka ndikuar në çdo aspekt të skuadrës përsa i përket menaxhimi, apo dhe marrëdhënieve me skuadrën dhe tifozët", tregon i pari i bankinës dinamovite.
Por sa është e aftë kjo skuadër ta kthejë Dinamon tek trofetë në Superiore?
"Përsa i përket brumit do të duhet të ishte menduar më mirë sepse duhet të ishte krijuar një skuadër që të bënte diferencën në Kategorinë e Parë dhe të ishte riorganizuar kjo skuadër me elementë cilësorë të Superligës që ti mos e diskutoje fare ngjitjen, por ta fitoje kampionatin bindshëm me pikë. Por mendoj se ka elementë që mund të na ndihmojnë vetëm se do të shohim me qetësi për të formuar atë Dinamo dinjitoze në Kategorinë Superiore", ka përfunduar Mehmeti.
Dinamo ka patur tre ditë pushim dhe rikthehet të enjten stërvitje, ndërsa të shtunën ka fitoren në “tavolinë” me Tërbunin, tashmë i përjashtuar nga Kategoria e Parë, dhe sezonin e mbyll në transfertë me Luzin 2008.