RTSH Sport Live

Duro: Vendi i dytë dhe finalja e Kupës, arritje e madhe për Laçin

  • 09/05/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Duro: Vendi i dytë dhe finalja e Kupës, arritje e madhe për Laçin
Trajneri i Laçit, Shpëtim Duro i pranishëm në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH

Laçi ka arritur të sigurojë vendin e dytë në këtë edicion të “Abissnet Superliga”, pa harruar që është dhe në finale e Kupës. Një arritje e madhe për kurbinasit, gjë të cilën e thekson dhe trajneri Shpëtim Duro, i pranishëm në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH.

“Jam i lumtur për atë që kemi arritur sepse është një vazhdimësi nga sezoni i kaluar. Laçi në këto vitet e fundit ka qënë një faktor, por arritja e vendit të dytë në këtë sezon është shumë pozitive. Jam pak pishman, sepse mendoj se Laçi mund të rivalizonte Tiranën, të mos prishej vazhdimësia me atë që ndodhi në verë, por ka kaluar tashmë. Vendi i dytë dhe finalja e Kupës është një arritje e madhe”.

Kanë mbetur dhe tri javë deri në fund dhe Laçi e ka arritur tashmë objektivin në kampionat. Trajneri i kurbinasve e pranon se do jetë shumë e vështirë për të motivuar lojtarët. “Kur skuadra ka arritur objektivin dhe kundërshtari ka një objektiv, është shumë e vështirë të motivosh lojtarët, ndodh edhe në kampionatet e tjera”.

Finalja e Kupës – “Gjendja e skuadrës është e mirë e plotë. Edhe rezultatet janë pozitive, shpresojmë të vazhdojmë kështu. Do të përballemi me një Vllazni që ka shumë cilësi. Do të ishte diçka e bukur nëse do arrijmë të fitojmë, një ndeshje është”.