RTSH Sport Live

EBU siguron të drejtat TV të olimpiadave

  • 16/01/2023
  • |
  • Të tjera
EBU siguron të drejtat TV të olimpiadave
Nënshkruhet marrëveshja 6-vjeçare, RTSH, pjesë e familjes evropiane prej dekadash

Unioni i Transmetuesve Evropianë, i njohur gjerësisht se EBU, ka dhënë të hënën një lajm të mirë sa u përket transmetimeve sportive. Nëpërmjet një njoftimi të Presidentes së saj, Delfin Ernot, të shpërndarë anëtarëve të këtij Unioni, pjesë e të cilit është prej dekadash edhe Radio-Televizioni Shqiptar, është bërë e ditur se janë siguruar të drejtat ekskluzive të Lojërave Olimpike të përfshijnë ciklin 6-vjeçar përgjatë periudhës 2026-2032. Një gjë e tillë u bë e mundur falë arritjes së një marrëveshjeje 3-palëshe midis Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), kompanisë që i administron këto të drejta, “Uorner Bros”, por edhe EBU-së. Sipas deklaratës së kreut të EBU-së, kjo kontratë historike siguron kushtet më të mira për të negociuar më tej kontratat individuale për mbi 50 anëtaret e EBU-së, që mbulon 49 territore.

 “Për më tepër, kjo është një arritje historike për EBU-në, që i rifiton këto të drejta pas një mungese 10-vjeçare, dhe kësisoj anëtarët e saj mund të planifikojnë sigurimin paraprakisht të të të paktën 200 orëve transmetim të Lojërave Ompike Verore dhe të paktën 100 orëve transmetim të Lojërave Ompike Dimërore, si në ekran, ashtu edhe në radio apo në mediat elektronike apo platformat e medieve sociale”, - thuhet më tej në deklaratën në fjalë. Një marrëveshje e tillë e vendos Radio-Televizionin Shqiptar në pozitë të favorshme për përfituar nga këto të drejta, teksa transmetuesi publik synon të rikonfirmojë statusin e tij si shtëpia e sportit në Shqipëri, duke sjellë për sportdashësit ekskluzivisht dhe, për më tepër, falas, evenimentet më madhore sportive, kombëtare dhe ndërkombëtare, siç ishte edhe, më së fundmi, rasti i Botërorit “Katar 2022”.