RTSH Sport Live

Edmond Dosti: Teuta, Partizani dhe Laçi janë pretendentë

  • 11/04/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Edmond Dosti: Teuta, Partizani dhe Laçi janë pretendentë
Pas 30 vitesh, Edmond Dosti rikthehet në studion e “Rubrika Sportive” në RTSH, tashmë në rolin e analistit

Edmond Dosti, një ish-futbollist i Partizanit apo dhe Laçit, është rikthyer pas 30 vitesh në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH, tashmë në rolin e analistit, për të komentuar zhvillimet në Kategorinë Superiore pas javës së 27-të: “Është kënaqësi e veçantë që kthehem në studio pas 30 vitesh”.

Janë pesë skuadra që po luftojnë për titullin kampion në këtë sezon, si asnjëherë tjetër, por Dosti evidenton vetëm tre prej tyre si më të favorizuarat. “Është një nga kampionatet e pakta ku janë pesë skuadra që luftojnë për të fituar titullin. Gjithsesi, unë shikoj tre pretendentë: Teuta, Partizani dhe Laçi. Të kuqtë i shikoj pak më përpara, e pamë edhe në ndeshjen e sotme me Bylisin, jo për rezultatin, por për lojtarët rezervë që ka. Mund të luajë kushdo në formacion”.

“Teuta ka një skuadër shumë të mirë. Është një kënaqësi që një ish-koleg, kemi lujtur bashkë në Slloveni, Edi Martini, është trajner. E përgëzoj dhe e uroj që ta fitojë. Po nuk e mori Partizani ose Laçi titullin, ia uroj Teutës”.

“Teuta ka mbrojtjen më të mirë në Ligë dhe kjo i jep shumë siguri, plus që ka një lojtar si Bregu, që zgjidh ndeshjen në momentet më të vështira. Ka pasur problem me sulmin, për këtë arsye ka dhe shumë barazime. Por në këto metra të fundit të kampionatit, e rëndësishme është ana psikologjike dhe ana fizike e ekipit. Martini e di shumë mirë se si fitohet një kampionat dhe besoj se do ia transmetojë edhe ekipit”.

Partizani – “E kishin vlerësuar këtë sfidë. Para se të fillonin ndeshjen, Partizani ishte pesë pikë larg Teutës dhe nuk i lejohej një hap i gabuar. Shënoi shpejt dhe e bëri më të lehtë për ta fituar. Unë e kam thënë që në fillim se Partizani është një nga pretendentët kryesorë për të fituar titullin, sidomos tani që ka dhe shërbimin e blerjeve të reja, lojtarë me eksperiencë”.

“Partizanit i mungon një sulmues i mirfilltë, ata që ka janë alternativë.  Cili nga lojtarët e Partizanit mund të luajë në Austri? Kampionati austriak është shumë i vështirë. Atje kemi Balajn, luan në qytetin ku jam unë, por atje është tjetër ritëm. Niveli i kampionatit këtu nuk është në cilësinë e Europës. Hapi kur të hidhet atje është shumë i vështirë, unë e kam provuar vetë, duhet të japësh 120% që të luash. Unë e uroj, por disa kanë qenë atje dhe janë rikthyer prapë”.