RTSH Sport Live

Edmond Kodra: Besa ka si objektiv vendin e dytë

  • 22/03/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Edmond Kodra: Besa ka si objektiv vendin e dytë
Zv trajneri i kavajasve, në një prononcim për emisionin “E HËNA SPORTIVE” në RTSH , zbulon objektivat për pjesën e mbetur të sezonit

Një ndeshje e humbur, një ndryshim plani. Besa e Kavajës, pas disfatës 1-3 me Egnatian, duket se I ka lënë mënjanë pretendimet për vendin e parë, pavarësisht se matematika nuk e thotë një gjë të tillë. Tani e gjithë vëmendja është përqëndruar tek vendi i dytë. Zv-trajneri i skuadrës kavajase, Edmond Kodra, në një lidhje direkte me “E HËNA SPORTIVE” në RTSH, ka folur për gjithçka, që nga humbja me Egnatian e deri tek objektivat më të fundit.

Humbja në ndeshjen e fundit me Egnatian - “Ishte një ndeshje me një rival direkt, rëndësia e ndeshjes dihet. Ne nuk e kishim problemin tek ndeshja me Egnatian, sepse teknikisht si skuadër kemi qenë gjatë gjithë kohës të barabartë. Problemi ynë është se në ndeshjet e kaluara kemi lënë pikë me skuadra, në letër inferior ndaj nesh, kjo na djeg më shumë. Ndërsa Egnatia, një rivale direkte, organikën e ka, është pretendente për titull, është me meritë aty ku është”.

“Në një ndeshje të tillë, të trija rezultatet janë brenda, por më vjen keq për mënyrën se si humbëm. Dashje pa dashje, arbitri është bërë protagonist i ndeshjes. Janë ato episode, ato raste, që ndikojnë në rezultat. Nuk dua të shfajësohem, por arbitri duhet të tregohej më i saktë”.

“Në pushim, personalisht i kam thënë gjyqtarit të ndeshjes: na ler të luajmë futboll, le të fitojë më i miri. Vetëm kaq i kam thënë, sepse për ne, dashje pa dashje, ishte një finale. Ndeshja me Egnatian do të thoshte shumë për ne, sepse rihapte luftën për titull”.

Objektivat në këtë sezon - “Plani A, arritja e titullit, edhe pse matematikisht nuk është mbyllur, është jashtëzakonisht i vështirë. Ne do të vazhdojmë rrugën tonë. Çdo gjë varet nga ne, nuk fshihemi, ne si staf mbajmë përgjegjësitë tona. Kemi gabuar në ndeshje që nuk duhet të kishim gabuar. Me Egnatian, që është në vend të parë sot, në dy ndeshje, kemi luajtur si të barabartë, edhe në fazën e parë edhe dje”.

“Organikën e kemi, por kemi vuajtur edhe mungesat. Lojtarë si Sefa dhe Hyseni, të cilët nuk i kemi patur të gatshëm, dje janë rikthyer. Organikën asnjëherë se kemi patur të plotë dhe kjo ka ndikuar në rrugën tonë, ndërsa kundërshtari ynë direkt, Egnatia e ka pasur më të plotë skuadrën. Kjo ka qënë diferenca. Tani për ne objektivi është vendi i dytë, do bëjmë maksimumin për ta arritur. Mjaft kemi bërë hapa të gabuar, ka ardhur moment të rikthehemi aty ku na takon”.