RTSH Sport Live

Egnatia, Edlir Tetova në kërkim të historisë

  • 27/04/2023
  • |
  • Kupa e Shqipërisë
Egnatia, Edlir Tetova në kërkim të historisë
Trajneri komenton barazimin me Vllazninë në Kupë: Do të bëjmë maksimumin për finalen

Gjysmëfinalja e parë e Kupës së Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Egnatias përfundoi me shifrat 1-1. Takimi zhvilluar në “Loro Boriçi” prodhoi emocione deri në minutën e fundit. Goli i Ardit Hoxhaj në sekondat e fundit të ndeshjes i hoqi fitoren rrogozhinasve, që deri në atë moment ishin në avantazh me golin e Dëamenas në mesin e pjesës së dytë. Pas ndeshjes, trajneri Edlir Tetova ndjeu keqardhje për atë gol të pësuar. “Ishte një ndeshje e bukur dhe mendoj se meritonim diçka më shumë. Pësimi i golit në minutat e fundit ishte një dush o ftohtë për ne pasi deri në ato momente kishim dhënë shumë, por eksperienca në të tilla nivele do të thotë shumë”, pohoi Edlir Tetova.

Takimi i dytë do të zhvillohet më datë 11 maj me shpresën që Egnatia të bëjë surprizën e madhe e të arrijë finalen e parë në historinë e klubit. “Pas golit të parë siç e patë ne patëm edhe dy raste të tjera shënimi, por nuk arritëm që ti kapitalizonim. Ne jemi një grup i ri dhe më të tilla situata përballemi për herë të parë prandaj në takimin e kthimit do të mundohemi të japim gjithçka për të arritur finalen e madhe”, pohoi Tetova. 

Egnatia do të luajë sërish në Shkodër dhe këtë herë për javën e 31-të të kategorisë Superiore. Rezultati i Kupës sipas Tetovës nuk do të ndikojë në gjendjen e skuadrës dhe sipas tij do të jetë një ndeshje tjetër nga ajo e Kupës. “Secila ndeshje është një histori më vete prandaj mendoj se ky takim s’ka lidhje me duelet e radhës”, përfundoi tekniku i Egnatias.