RTSH Sport Live

Egnatia, Endri Magani: Rival kemi veten tonë

  • 19/04/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Egnatia, Endri Magani: Rival kemi veten tonë
Mbrojtësi i rrogozhinasve, i pranishëm në studion e emisionit “E Hëna Sportive” në RTSH

Një fitore 2-1 përballë një rivali direkt si Tomori dhe Egnatia e sheh veten të relaksuar në vendin e parë, me shtatë pikë diferencë nga ndjekësi më i afërt, kur kanë mbetur dhe katër ndeshje për tu luajtur. Megjithatë, asgjë nuk ka mbaruar për rrogozhinasit dhe këtë e thotë mbrojtësi i kësaj skuadre, Endri Magani. I pranishëm në studion e emisionit “E Hëna Sportive” në RTSH, Magani ka theksuar:

"Që në fillim synimi jonë me Egnatian ishte që të ngjiteshim në Superligë, pasi kishim një projekt shumë të mire. Mendoj se akoma nuk ka mbaruar asgjë, pasi janë akoma dhe katër ndesje për tu luajtur. Do përballemi përsëri me Tomorin, me Besën, po ashtu kemi dhe dy ndeshje me Pogradecin. Mendoj se duhet ti marim ndeshjet një e nga një, ashtu siç kemi bërë deri tani dhe në fund të arrijmë atë objektiv që i kemi vënë vetes që në fillim të sezonit".

"E kemi nisur kampionatin si pretendentë, me gjithë respektin për skuadrat e tjera, rival kemi vetëm veten tonë. Kemi një grup lojtarësh të cilët pothuajse të gjithë kanë luajtur në Superligë. Kemi një presidentt, që dua ta falenderoj, sepse janë të rrallë presidentët si ai, që e duan shumë sportin. Ka bërë fushën e stërvitjes, ka nisur edhe stadiumi, që shumë shpejtë do përfundojë. Kemi një staf me vlera. Mendoj se e meritojmë këtu ku jemi , edhe në Superligë do bëjmë mirë".

"Kontrata me Egnatian? Përfundon me kampionatin, të shikojmë në vazhdimësi. Por si fillim të mendojmë të ngjisim skuadrën në Superligë, pastaj çdo gjë vjen avash".