Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka ulur të enjten siparin e këtij edicioni, duke kurorëzuar Egnatian si fituese të saj, teksa skuadra rrogozhinase ka ngadhënjyer me një gol të vetëm, por vetëm pas kohëve shtesë, ndaj Tiranës, pasi koha e rregullt ishte mbyllur në barazim 0-0. Në fakt, finalja që është zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, ka parë një lojë të hapur nga ana e të dyja skuadrave, por Tirana mbetet me 10 lojtarë pas vetëm 24 minutave lojë, për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Berishës, për ndërhyrje të ashpër ndaj Xheksonit, karton që është konfirmuar edhe nga Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR).
Megjithëse Egnatia do të përpiqet, por pa rezultat, të përfitojë nga epërsia numerike, pjesa e parë do të mbyllet me rrjeta të paprekura. Edhe pjesa e dytë do të jetë e luftuar, përtej pabarazisë numerike në fushën e blertë dhe në minutën e 61-të, shtylla do të shpëtojë Tiranën, pas goditjes së Xheksonit. 12 minuta para fundit të kohës së rregullt, skuadra rrogozhinase e ka gjetur golin, me anë të Duamenës, por sistemi i VAR-it sinjalizon për një pozicion jashtë loje të Kasës, që dha pasimin e fundit. Edhe pse Egnatia do të këmbëngulë dhe do të jetë pranë golit, 90 minutat e kohës së rregullt dhe ato 6 shtesë nuk kanë sjellë gola të tjerë, duke bërë që gjithçka t’u drejtohet dy pjesëve shtesë nga 15 minuta secila.
Edhe ajo e para nuk ka prodhuar gola, përtej përpjekjeve të të dyja skuadrave, ndërsa në të dytën, lodhja ka nisur të bëjë të vetën për Tiranën, që ka shkaktuar një 11-metërsh në minutën e 113-të. Xhekson ka goditur nga pika e bardhë dhe ndonëse portieri Lika reagon bukur, duke grushtuar, ai e ka përcjellë topin në rrjetë në përpjekjen e dytë.
Nuk ka më gola deri në fund dhe, përtej faktit se Xhekson del me karton të kuq në minutat shtesë, Kupa e Shqipërisë ka një emër të ri në librin e saj të artë, pasi Egnatia ka mposhtur 1-0 të enjten në mbrëmje Tiranën në finalen e madhe. Ky trofe, i pari në histori, kurorëzon një sezon të jashtëzakonshëm për klubin rrogozhinas, që kishte siguruar më herët vendin në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm.