RTSH Sport Live

Egnatia, Telushi rikthehet në mesfushë

  • 22/10/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Egnatia, Telushi rikthehet në mesfushë
Kundër Teutës do të mungojnë sërish Magani dhe Teqja

Gjashtë pikë në dy ndeshjet e fundit, 8 në total. Egnatia është padyshim surpriza më e ëmbël e këtij fillimsezoni në Kategorinë Superiore edhe pse asgjë nuk vjen rastërisht nga kampin rrogozhinas. Pas investimeve të mëdha në infrastrukturë dhe merkato, ekipi debutues po tregon një formë të mirë edhe në fushën e  blertë. Trajneri Gugash Magani prej më shumë se një viti e gjysmë në drejtim të skuadrës, ka arritur të koordinojë të gjitha mekanizmat e grupit që ka marrë formë dhe ka gjetur gjithashtu bomberin i cili po siguron vazhdimësi në rezultate.

Braziliani, Pedro Augusto është njeriu i momentit të kampin e Egnatias që këtë fundjavë rikthehet në shtëpi me një ndeshje shumë delikate kundër kampionëve të Teutës. Trajneri Magani nuk ka pasur asnjëherë mundësinë të punojë me skuadrën e plotë ndërsa për këtë sfidë nuk do të ketë të gatshëm sërish Artur Maganin dhe mbrojtësin Mario Teqja, që të dy në fazë rehabilitimi.

Problematike është situata në infermieri pasi nuk është ende gati as ganezi, Mikhail Agbekpornu, ndërsa Bruno Telushi do të rikthehet titullar pas mungesës në Laç, duke ofruar siguri në në një skuadër ende pa eksperiencën e nevojshme.Ndalesa e gjashtë sezonale, do të testojë forcën e vërtetë të kësaj skuadre që objektiv minimal ka mbijetesën por flirti me zonën europiane është një ëndërr e bukur tek e cila kanë nisur të besojnë të gjithë.