RTSH Sport Live

Egnatia, zyrtarisht në Kategorinë Superiore

  • 02/05/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Egnatia, zyrtarisht në Kategorinë Superiore
Artur Magani shënon golin e ngjitjes historike në elitën e futbollit shqiptar

Egnatia zyrtarisht pas 16 vitesh në Kategorinë Superiore. Barazimi i Tomorit në Pogradec, si dhe goli i Artur Maganit ndaj Besës, i ka dhënë skuadrës rrogozhinase diferencën e pikëve komode për dy javët e fundit. Nëntë pikë diferencë me vendin e dytë dhe tanimë Egnatia ndaj Tomorit e Pogradecit është thjeshtë për të respektuar kalendarin, kurse me Dinamon do të diskutojë finalen e titullit kampion të Kategorisë së Parë për sezonin 2020-2021.

Egnatia është që në fillim në kërkim të golit, ndërsa Xhekson, në të 7’, është ndalur nga pritja e portierit Damjani. Në të 10’ rrogozhinasit kanë pretenduar për penallti, kjo dhe pas një momenti të dyshimtë të Kacbufit në zonën e rreptësisë kavajase, por për Stolajn gjithçka është e rregullt.

Artur Magani provon në të 17’ dhe në të 31’, por është ndalur nga Damjani dhe Kacbufi. E në të 32’ Egnatias i anullohet goli për faull ndaj portierit kavajas. Por ajo që pritej ka ardhur në të 41’; Çelhaka ka shpërthyer nga e majta, ka krosuar dhe Artur Magani, krejtësisht i pambuluar, e ka shtyrë topin në rrjetë.

 Festë tek Egnatia. Në pjesën e dytë sërisht rrogozhinasit janë në sulm, ndërsa Damjani i mohon golin e dytë personal Artur Maganit në të 59’. Po kështu është bllokuar dhe Lajthia në të 84’, ndërsa kavajasit kanë provuar vetëm në të 78’, veçse askush nuk arrin tek topi për ta shtyrë në rrjetë.

Në vërshëllimën e fundit të Stolajt, Egnatia nis festën, sepse me shumë meritë është në Kategorinë Superiore.  Për Besën jo vetëm kjo ndeshje, por dhe dy takimet e fundit do të jenë me objektivin për të krijuar skuadrën e sezonit të ardhshëm, me qëllimin final ngjitjen në Superiore.

Përfundimisht Egnatia shkruan emrin dhe një herë në Kategorinë Superiore, ndërsa Tomorri ka forcuar pozitat në vendin e dytë të grupit të Promocionit.

KATEGORIA E PARË

Rezultatet(Grupi B, Play Off)

POGRADECI-TOMORI 2-2

Golat: Dragoi 45’, Tako 92’/Canka 4’, 55’

EGNATIA-BESA 1-0

Golat: A.Magani 41’