RTSH Sport Live

Ekleston: Më mirë të fitojë Maks

  • 03/12/2021
  • |
  • Formula 1
Ekleston: Më mirë të fitojë Maks
“Edhe publiku i F1 kërkon një kampion tjetër”

Bernie Ecclestone do të marrë pjesë në çmimin e madh inaugurues të Arabisë Saudite këtë të dielë, gara e parafundit e botërorit të F1 në të cilën Max Verstappen i Red Bull, nëse rezultatet shkojnë sipas tij, do të rrëzojë nga froni Lewis Hamilton nga mbretërimi i tij i gjatë dhe i qetë si kampion bote. Kanë kaluar gati pesë vjet që kur multimiliarderi u zëvendësua si president i Formula 1, por entuziazmi i tij për spektaklin që ai formoi është i pashuar. Dy gara para përfundimit të botërorit 2021, ai thotë se tifozët e F1 duan të shohin dikë tjetër të jetë kampion bote.

Sipas tij, momenti flet për anglezin pas fitoreve në Brazil dhe Katar, ndërsa matematika është me holandezin, fitues në nëntë gara ndaj shtatë të Hamiltonit. “Është e vështirë të thuhet se cili do të mbizotërojë”, vazhdon Ecclestone. “Unë mendoj se tani varet pak nga fati me të cilin do të përballet njëri prej tyre. Publiku ndoshta dëshiron të shohë dikë tjetër të jetë kampion bote. Maks si kampion do të ishte mirë për Formula 1. Te Mercedes kanë qenë të mrekullueshëm, por do të ishte mirë nëse dikush tjetër do të dilte në plan të parë.

Të dy pilotët do të jenë të kujdesshëm e nëse do të ndodhë ndonjë aksident mendoj se do të jetë i qëllimshëm”. Ish-numri 1 i Fia-s ka kritikuar rregulloren që Liberty Media po aplikon këto vitet e fundit. “Jam pak i zhgënjyer në mënyrën se si janë parë garat nga autoritetet këtë sezon. "Mos e kaloni vijën e bardhë, mos e bëni këtë, mos e bëni atë". Ne mund ta bëjmë rregulloren të thotë edhe, "Mos garoni fare". E them këtë sepse kur fiken semaforët, duhet të fillojë gara, ndonjëherë mund të rrezikohet por kjo është ajo që e bën garën interesante” – thotë ai. 

Ndërsa për vlerësimet e pilotëve ai tregon idenë e tij për të dhënë medalje për podiumin. “Kam dashur gjithnjë që për pilotët e podiumit të jepeshin medalje ari, argjendi dhe bronxi por të gjithë kanë qenë kundër kësaj ideje. Për mua do të ishte një ide e bukur. Të kesh 12 medalje është shumë më mirë sesa të thuash se kam 342 pikë” – ka thënë Eccleston.