RTSH Sport Live

EKSKLUZIVE! Petrov në RTSH Sport: Dua Olimpiadën

  • 17/12/2020
  • |
  • Tokio 2020
EKSKLUZIVE! Petrov në RTSH Sport: Dua Olimpiadën
Gjimnasti rus që garoi për Shqipërinë dhe që u shpall kampion Evrope ka vënë objektiva të reja për vitin 2021

Matvei Petrov është padyshim njeriu i momentit për sportin shqiptar ditët e fundit. Rusi që garoi me flamurin shqiptar në Kampionatin Evropian të Gjimnastikës dhe meritoi medalje ari ka dhënë një intervistë posaçërisht për RTSH Sport duke treguar jo vetëm vështirësitë e garës, por edhe mënyrën se si ai u përfshi me ekipin shqiptar të Gjimnastikës. Petrov ka qënë një talent i këtij sporti në Rusi, por kurrë më parë nuk kishte arritur të merrte një medalje ari me të rriturit, objektiv të cilin e realizoi me flamurin shqiptar në Evropianin e zhvilluar në Mersin të Turqisë pak ditë më parë

“Të jem i sinqertë nuk e di si ia dola, sepse disiplina e kalit me doreza është gjithomone e vështirë …edhe tani nuk e di se si u shpalla kampion”, -deklaron Petrov në RTSH Sport. “Ishte shumë  e vështirë, me të vërtetë. Jo çdo vend i Europës konkurroi në këtë disiplinë, por përsëri niveli ishte i lartë. Te fitosh Kupën e Europës është gjithmonë e vështirë”.

Gjimnasti rus në fakt e kishte lënë sportin pas një zhgënjimi në karrierë, sepse nuk arriti të kualifikohej për Olimpiadën verore të Rios në 2016. Megjithatë, fati e dërgoi në Pragë të Çekisë ku filloi të punonte në një palestër gjimnastike që pronarët ishin shqiptarë. Pikërisht ata ishin arsyeja që ai e rifilloi sportin, por me një flamur tjetër, atë shqiptar… “Rikthimi në gjimnastikë? Brenda meje e ndjeja që nuk e kisha mbyllur me sportin dhe stërvitjen. Kur m’u propozua mundësia e marrjes së pasaportës shqiptare dhe bashkë me të edhe e rikthimit në garat profesinuste e pranova me kënaqësi”,- vazhdon rëfimin e tij kampioni i Evropës në RTSH Sport.

“Ndjehem i lumtur se është fitorja më e madhe në karrierë dhe është medalja e parë e artë me të rriturit. Të gjithë shokët e mi nga periudha kur garoja për Rusinë më kanë shkruar dhe janë të lumtur për mua”. Petrov në fund nuk nguron të shpallë edhe objektivat për vitin që vjen.

“E ardhmja? Në vitin 2021 do të kemi shumë gara, do të kemi Kupën e Botës dhe Europianin. Është edhe mundësia për të shkuar në Lojërat Olimpike. Unë besoj”, tha Matvei Petrov në RTSH Sport.