RTSH Sport Live

Elbasani, largohet Gentian Stojku

  • 12/04/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Elbasani, largohet Gentian Stojku
Klubi ka falënderuar trajnerin dhe ndihmësin e tij, Elton Ceno, tani ekipi në duart e Merxhës

Ndodh në Shqipëri dhe duket se po bëhet e modës që trajnerët të largohen nga skuadra edhe kur kanë rezultate. Elbasani që nga e marta pasdite nuk ka më në krye Gentian Stojkun dhe ndihmësin e tij Elton Ceno, edhe pse skuadra është në krye të grupit B me 48 pikë e për më tepër në Kategorinë e Dytë nuk ka asnjë humbje. Në ndeshjen e fundit, e luajtur në kompleksin sportiv “Shefqet Lamçja”, ish-fusha e vjetëe e sportit sikurse e njohin elbasanllinjtë autoktonë, verdheblutë fituan 3-0 ndaj Memaliajt.

Në faqen e vet në facebook, A.F Elbasani, pasi ka falënderuar për punën e krye Gentian Stojkun dhe Elton Cenon, ka lajmëruar ndërprerjen e marrëdhënieve në mënyrën konsensuale. Dhe skuadra i është besuar për momentin Eriol Merxhës, që nis gjithçka të dielën në transfertën e Patosit ndaj Albpetrolit.

Pas Elbasanit në renditje, me vetëm dy pikë larg, është Pogradeci. Janë dhe pesë javë për t’u luajtur e në këtë mënyrë shpresohet që Elbasani ta arrijë objektivin, që është ringritja në Kategorinë e Parë, kurse në finalen për titullin kampion të Kategorisë së Dytë pritet të jetë përballë Vorës.