RTSH Sport Live

Elezaj dhe Lufo: Luajmë si të barabarta

  • 24/11/2021
  • |
  • Kombëtarja
Elezaj dhe Lufo: Luajmë si të barabarta
Kombëtarja shqiptare e femrave vijon përgatitjet në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Botëror

Kombëtarja shqiptare e femrave vijon përgatitjet në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Botëror, “Australi – Zelandë e Re 2023”. Ditën e enjte Shqipëria do të presë Norvegjinë, përfaqësuese që ndodhet në vendin e parë në kuotën e 10 pikëve në Grupin F. Në stadiumin Kombëtar, vajzat kuqezi do të tentojnë të bëjnë surprizën e madhe për të dalë me pikë nga një 90 minutësh tepër delikat. Endrina Elezaj, mbrojtësja nga Mmitrovia tregon për forcën e Norvegjisë dhe gjithashtu vlerëson Kosovën, përfaqësuese që do të luajmë më datë 30 nëntor për kualifikueset

“Atmosfera paraqitet mjaft mirë. Kemi filluar me stërvitjen, kanë ardhur edhe vajzat nga jashtë. Jemi kompletuar i gjithë ekipi dhe jemi gati”.

“Norvegjia? Pavarësisht se është një konkurrent shumë i fortë, ne mendojmë të marrim pikë maksimale nga të dyja ndeshjet. Na favorizon ndeshja me Norvegjinë që e luajmë në Air Albania, ku ndeshjen e fundit kemi marrë edhe rezultat pozitiv, 3 pikë me Armeninë”.

“Ndeshja ndaj Kosovës? E kam thënë edhe herën e kaluar, me respektin maksimal për Kosovën, por shkojmë aty për të marrë tri pikët”.

Esi Lufo, një nga golashënueset në ndeshjen ndaj Armenisë, ku Shqipëria e femrave arriti një rekord historik me fitoren 5-0, vlerësoi të dyja skuadrat, ndërsa theksoi se skuadra do të futet në fushë dhe do të bëjë lojën e saj për të marrë rezultate pozitive.

“Atmosfera e vajzave është goxha e mirë. Po mundohemi që të japim maksimumin në stërvitje për të qenë sa më të bashkuara dhe për të krijuar atmosferën që të shkojmë në ndeshje me emocionet e duhura në ekip. I vlerësojmë të dyja ekipet dhe do futemi në fushë si të barabarta me ato. Do bëjmë lojën tonë për të marrë një rezultat pozitiv dhe për t’u ngjitur sa më lart në grupe”.

“Air Albania është shndërruar si shtëpia jonë dhe ne e quajmë si një stadium me fat, pasi morëm dhe fitoren e parë aty dhe shpresoj të vazhdojmë me të njëjtin rezultat dhe të njëjtin ritëm”.