RTSH Sport Live

Elvis Plori: Brdariç është shqiptarizuar, Teuta bën futboll të shëmtuar

  • 04/04/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Elvis Plori: Brdariç është shqiptarizuar, Teuta bën futboll të shëmtuar
Elvis Plori, në një lidhje direkte me emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH

Vllaznia në këtë javë të 26-të të Kategorisë Superiore nuk ka shkuar më shumë se një barazim 0-0 në përballjen me Partizanin në “Loro Boriçi”. Një barazim që në pamje të parë i kënaq të dyja skuadrat, por që ka shërbyer si një mundësi për Teutën që të “përqafojë” vendin e parë. Për të analizuar situatën kuqeblu, në një lidhje direkte me emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, ka menduar ndihmësi i trajnerit Brdariç, Elvis Plori.

“Barazimi me Partizanin nuk na kënaqi, por dhe nuk na mërziti. Ne e kishim menduar shumë mirë këtë ndeshje, sepse Partizani është një skuadër e fortë, shumë e organizuar, ka ekuilibrat e duhur në fushë. Ne ishim në një dilemë se si do luanim në këtë ndeshje. Nëse do vazhdonim me një 4-2-3-1, me të cilën morëm fitore në Kamëz kundër Kastriotit, apo të ktheheshim te skema me të cilën kemi luajtur në pjesën më të madhe të kampionatit, 4-4-2. Të them të drejtën, nuk është se janë shumë të rëndësishme këto modulet, por mënyra se si duhet të veprojmë në fushë dhe se si duhet ta aplikojmë sistemin”.

“Duke parë se Partizani ka një ekuilibër të mirë në fushë, me një mesfushë që vrapon shumë dhe me një lojtar si Broja ku ekuilibrat janë gjithmonë aty, menduam të vazhdojmë të sulmojmë me dy lojtarë. Nuk është se ne nuk menduam për ekuilibrat dhe për mbrojtjen. Ndërtuam një skuadër, e cila kishte dy faza loje, sulmuese dhe mbrojtëse. Te pjesa mbrojtëse ndryshuam diçka, sepse kishim pak frikë nga mbrojtësit e krahut të Partizanit. Kur nuk kishim topin, mbroheshim me tre. Ishte diçka e organizuar mirë dhe nuk mund të rrezikonim. Jemi kthyer edhe ne me këmbë në tokë, jemi kthyer me futbollin shqiptar. E shqiptarizuam Brdariçin, ndryshe iknim poshtë”.

“Impakti i situatës me liçensimin? Mendoj se ka patur një impakt te lojtarët, pasi të gjithë dëshirojnë të shkojnë në Europë. Por impaktin më të madh në Shkodër e ka ana e jashtme, ana e tifozëve. Rrjetet sociale kanë një rëndesë të madhe psikologjike tek lojtarët”.

“Në këtë periudhë përgjegjësia është më e madhe. Tani është afruar edhe Tirana, e cila ka ndërlikuar zonën e Europës për të gjitha skuadrat, mund të them se e ka zbukuruar më tepër. Është bërë një kampionat shumë i bukur”.

“Mendoj se kampion duhet të dalë skuadra që luan futbollin më të bukur. Nga pesë skuadrat e vendeve të para, Teuta është skuadra që bën futbollin më të shëmtuar. Këtë vit, Teuta është vendi i parë më i shëmtuar për futbollin që ka dhuruar. Të falenderojnë sulmuesin që shënoi atë gol, bravo u qoftë, se me atë futboll që kanë zhvilluar… Është një skuadër që mbrohet mirë, ka ekuilibër në fushën e lojës, por nuk mund të më thotë kush se kjo skuadër ka zhvilluar futboll të bukur“.

“Arma më e fortë e Vllaznisë? Në fillim ishte entuziazmi. Ndërsa tani, pas asaj periudhës së vështirë është pjesa e grupit. Nga disa lojtarë prisnim më shumë, siç është Dilaver, një sulmues race. Nuk jam I kënaqur me sasinë e golave të shënuar, prisja shumë më tepër”.

“Vendin e parë e kemi ndarë edhe me Partizanin apo Laçin, por me Teutën ka një ndryshim, nga emri, sepse Teuta është Mbretëresha. Vendi i parë është më i vështirë ta mbash se sa ta arrish. Mund të bëj një krahasim me lekun, ne në Shkodër themi: e vështirë ta fitosh, por më e vështirë është ta ruash atë”.

“Arbitrimi? Në situatën në të cilë ndodhet kampionati, ku diferencat mes skuadrave kryesuese janë shumë të vogla, mendoj se do të kenë ndikimin e tyre. Jam i bindur 100% që do të ndikojnë”.

“Teuta ka një pikë të fortë që është eksperienca. Kjo e ka bërë që të jetë në vendin e parë. Ka një ekuilibër të admirueshëm, nuk ndodh që ta gjejë në një moment të çekuilibruar. Ka një mbrojtje shumë të mirë dhe këtë e tregojnë edhe rezultatet, golat e pësuar”.

“Edi Martini? E kam shumë mik. Kemi biseduar para kampionatit dhe asgjë nuk i ka dalë nga ato që ka thënë. Për Vllazninë ka menduar se është një skuadër për mbijetesë dhe mund të bjerë nga kategoria. Më tha: çfarë i bëre vetes që erdhe në këtë moment në Shkodër. Ndërsa tani më thotë: Jeni bërë skuadër e fortë, por ne(Teuta) jemi më të fortë nga të gjitha drejtimet”.

 “Krizë te Laçi? Është ndërtuar për të qënë kampion, ka bërë mjaft mirë këto javët e fundit. Por humbjet ndikojnë, e kemi provuar edhe vet këtu te Vllaznia, janë shumë ndikuese në ecuri. Shpresojmë ta gjejmë Laçin, ashtu siç na gjetën ne disa skuadra dhe të arrijmë fitoren në ndeshjen e radhës. Kuptohet, në këtë periudhë duhet të mendojmë vetëm për fitore, por unë do të isha i kënaqur edhe me një barazim në Laç”.