RTSH Sport Live

ËNDRRA TITULL PËSON TRAUMË NË ELBASAN

  • 07/05/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
ËNDRRA TITULL PËSON TRAUMË NË ELBASAN
Kukësi imponohet 3-1, gara për titull e Vllaznisë kompromentohet keq mes polemikave

Ëndërra titull e Vllaznisë ka marrë një goditje të rëndë katër javë nga fundi, me shkodranët të mundur 3-1 në Elbasan Arena, nga një kundërshtar që vinte nga tre humbje radhazi dhe nuk fitonte prej katër ndeshjesh. Shkodranët nuk duhej të gabonin pikërisht këtu, për ti luajtur shanset e tyre në përplasjet direkte, por gjetën përballë kualitetet e ditura të bluve, që u kthyen këtë herë të ishin skuadër.

Ndoshta presioni për një rezultat që ishte domosdoshmëri, apo fatkeqësia që ndeshën në ditën më të mirë të Kukësit, por kuqeblutë u habitën nga një fillim edhe pak i rastësishëm i të besuarve të Josës që morën avantazhin pas vetëm 5 minutash lojë, me Eze që përfitoi në zonë për të shënuar qetësisht në portën e Zogovic.

Një shfryrje dufi e sulmuesit, pasqyrë e gjithckaje të shkuar keq në këtë sezon. Nuk ishte rezultati që prisnin kuqeblutë që me forcën e dëshpërimit u munduan të ekuilibrojnë shpejt situatën, e ndoshta edhe nga kjo një lloj paqartësie para portës e kishin. Marku nuk gjeti kuadratin e po ashtu edhe Jonuzi, që topin e kthyer nga shtylla pas goditjes së Da Silvës nuk e dërgoi dot në rrjetë.

 Kukësi u mundua të dalë pa dëme nga një presion i lartë i kundërshtarëve, që patën edhe pasojat për reagimin në zemëratë e sipër. Da Silva nuk ia del dot dhe me Imerin në fushë shkodranët diçka humbën, edhe pse i shkuan pranë barazimit në minutën e 20 në tentativën e Markut që shkoi ngjitur me shtyllën.

E atëherë, Kukësi fundos goditjen, me Eze që i rrëmben një penallti Dajan Shehit në minutën e 34, duke e lënë pa dyshime Metën! Në pikën e bardhë shkon Taipi për të shënuar golin që dënoi përpjekjet e Vllaznisë për të drejtuar një ndeshje që nisi keq e po shkonte edhe më keq në përfundim të një pjese të parë intensive.

Pa kohë për të humbur Brdaric bën lëvizje të trefishtë, duke ndryshuar gjithë linjën e sulmit me Avdiaj, Nija Vexhi dhe Sise, por padurimi është armiku i rezultatit dhe madje mund të kishte lejuar një tjetër gol të Eze sapo rifilloi loja. Megjithatë Vllaznia kthehet në lojë në minutën e 50 me një penallti, të fituar nga Avdiaj, pas ndërhyrjes së Demirit, për herë të parë si qendror këtë ndeshje.

Nuk mund të gabonte Hoxhaj, shënuesi më i mirë i kuqebluve, që ngushton diferencën duke mundur një si Xhika që nga penalltitë kupton mirë. Insiston me një marsh më shumë skuadra e Brdaric që provoi me Sise në minutën e 69 pa gjetur kuadratin e nuk përmirësohet as Avdiaj dy minuta më pas, edhe pse sulmuesi goditi me kokë fare pranë portës.

Shtyhen përpara me forcë kuqeblutë dhe protestojnë për një penallti 14 minuta nga fund, në kontaktin e Hoxhajt me portierin, por Meta vazhdoi lojën, duke nervozuar pankinën shkodrane. Brdaric nxit të tijtë të tentojnë gjithcka për gjithcka, por Avdijaj edhe në të 81-të nuk e fiton dot duelin me Xhikën dhe ishte momenti i fundit që Vllaznia të dilte me pikë.

 Ai që rrëzoi shpresat e fundit ishte Gavazaj në minutën e 3-të shtesë, me golin e tretë, që ndoshta vlen për statistika për Kukësin, jashtë çdo objektivi e që vetëm mban larg pjesën e poshtme të renditjes, por i jep një goditje të forte, për të mos thënë fatale, shkodranëve në ndjekje të titullit.

KATEGORIA SUPERIORE/JAVA 32

Rezultatet

E premte

KUKËSI-VLLAZNIA 3-1

Shënues: Eze 5’, Taipi 34’ pen., Gavazaj 90’+2/Hoxhaj 50’pen.

E shtunë

16:00 TIRANA-KASTRIOTI

16:00 APOLONIA-LAÇI

19:00 TEUTA-BYLIS

19:00 SKËNDERBEU-PARTIZANI