RTSH Sport Live

Engjëll Hoti: Nuk ishte e vështirë të zgjidhja Partizanin

  • 28/06/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Engjëll Hoti: Nuk ishte e vështirë të zgjidhja Partizanin
Mesfushori i larguar nga Tirana, flet si lojtar i kuq

Engjëll Hoti, mesfushori që la Tiranën dhe u bashkua me Partizanin në këtë merkato vere ka dhënë një intervistë për kanalin e klubit. 25-vjeçari, i formuar tek moshat e skuadrës gjermane të Shtutgart ka treguar përshtypjet e para në skuadrën e re.

Cila është përshtypja juaj e parë për skuadrën pasi jeni njohur me stafin dhe si të kanë pritur shokët e rinj?

“Shokët më kanë pritur shumë mirë, edhe stafi teknik. Kemi një grup me lojtarë të rinj, me cilësi shumë të mira, por dhe lojtarë me eksperiencë. Jemi stërvitur shumë mirë gjatë këtyre ditëve dhe shikoj një grup mjaft cilësorë për kampionatin shqiptar në këtë sezon”.

Tashmë do jeni pjesë e familjes së kuqe, ishte e vështirë kjo zgjedhje?

“Zgjedhja për tu bashkuar me Partizanin nuk ishte e vështirë, pasi është një klub shumë i madh në Shqipëri, dihet çfarë tifozërie ka, çfarë klubi është, me traditë. Klubi më ka pritur shumë mirë, më kanë ardhur shumë mesazhe nga tifozët, mezi po pres ti takoj në stadium”.

Keni shënuar gol që në ndeshjen e parë me fanellën e Partizanit, çfarë mund të presim nga Hoti në këtë sezon?

“Në radhë të parë dua të falenderoj të gjithë për besimin që më kanë dhënë. E kam ndjerë veten shumë mirë këtu. Kur ndihesh mirë, normalisht që do japësh dhe maksimumin. Goli i parë, një ndjenjë shumë e mirë. Do të jap gjithmonë maksimumin, më shumë gola dhe asiste”.

Cili është mesazhi i Hotit për tifozët e shumtë të Partizanit?

“Tifozëria e Partizanit është shumë e madhe, e dimë, gjithë Shqipëria e di. Të gjithë do të japim maksimumin, prremtojmë se në çdo ndeshje do të luftojmë për fitore, të shpërblejmë tifozërinë”.