RTSH Sport Live

Enkileda Carja, e bronztë në Europian

  • 13/08/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Enkileda Carja, e bronztë në Europian
Tre medalje nga shtangistja elbasanase në moshën deri në 15 vjeç

Kampionati Europian i moshave në peshëngritje, që është duke u zhvilluar në Raszin të Polonisë, ka nisur mbarë për shtangën shqiptare. Enkileda Carja në moshën deri në 15 vjeç, pikërisht në peshën deri në 55 kilogram, ka marrë tre medalje të bronzta. Aq sa tani të gjithë e quajnë një talent që po i vjen peshëngritjes shqiptare për femra. E kjo është meritë e padiskutueshme e trajneres elbasanase Eglantina Kalemi.

Carja e ka nisur me vështirësi stilin e shkëputjes, teksa në provën e dytë do të realizonte 69 kilogram. Por në tentativën e tretë nuk realizon ngritjen me 72 kilogram. Në shtytje është e suksesshme me 80 kilogram. Më pas 83 kilogram dhe nuk realizon dot 85 kilogram. E megjithatë, duke patur totalin 152 kilogram, Carja është medaliste e bronztë në stilin e shkëputjes, shtytjes dhe në dygarësh.

Në ceremoninë e dorëzimit të medaljeve ka qenë i pranishëm edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, kurse shtanga shqiptare pret medalje edhe nga Ertian Kofsha, që të hënën do të konkurrojë në peshën 89 kilogram për moshën deri në 17 vjeç.