RTSH Sport Live

Episod “alla Eriksen” në Ligën e Parë të Kosovës

  • 25/04/2022
  • |
  • Kosova
Episod “alla Eriksen” në Ligën e Parë të Kosovës
Alban Rexhepi pëson atak kardiak në fushën e lojës, i vendosin stendë në zemër

Një episod i ngjashëm me atë të futbollistit danez, Kristian Eriksen, në Evropianin e vitit të shkuar, ka ndodhur të dielën në Kosovë. Alban Rexhepi, ish-futbollisti i Laçit në Kategorinë Superiore dhe i Burrelit në Kategorinë e Parë në Shqipëri, por edhe i një numri skuadrash në Kosovë, ka pësuar një atak kardiak në zemër gjatë ndeshjes së Vllaznisë së Pozheranit dhe Flamurtarit të Prishtinës.

Kjo ndeshje ishte e vlefshme për grupin B të nivelit të dytë të kampionatit të futbollit në Kosovës, që njihet si Liga e Parë. Ndeshja në fjalë u fitua me rezultatin 3-2 nga Vllaznia e Pozheranit, teksa Alban Rexhepi ishte autor i njërit prej golave të fitores. Sipas asaj që ka njoftuar klubi i Vllaznisë së Pozheranit, sulmuesi i krahut kishte një shqetësim shëndetësor gjatë pjesës së dytë të dhe, pas vizites ne QKUK, u konstatua që kishte një arrest kardiak.

Mjekët vendosën të ndërhyjnë dhe i vendosën një stendë. Futbollisti tani është në gjendje të qëndrueshme dhe ka filluar ta merr veten. Në spital futbollistin 26-vjeçar e ka vizituar edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili është shprehur i gatshëm ta ndihmojë futbollistin për të kaluar këtë moment të vështirë.

“Fatmirësisht Albani tashmë është në gjendje të mirë, falë ndërhyrjes të shpejtë të stafit mjekësor të QKUK-së, - ka deklaruar kreu i organizmit që qeveris futbollin në Kosovës. “E urova për ta tejkaluar sa më parë këtë gjendje si dhe ia shpreha gatishmërinë për ndihmë në rast nevoje në të gjitha format. Urojmë që ai sa më parë të kthehet pranë familjes, por edhe klubit dhe futbollit”, - ka përfunduar Ademi.