RTSH Sport Live

Erblira Bici firmos për Roma Volejin

  • 09/05/2022
  • |
  • Sporte të tjera
Erblira Bici firmos për Roma Volejin
Kapitenia kuqezi vijon karrierën në Serinë A2, zhvendoset në kryeqytet

Ka mbyllur një sezon të kënaqshëm në nivelin e dytë të volejbollit të femrave në Itali, në Serinë A2, duke qenë shënuesja më e mirë e skuadrës së Futura Volejit, me 446 pikë të realizuara në 24 ndeshje, me një mesatare prej 18.6 pikësh për çdo ndeshje. Kjo paraqitje e ka rreshtuar atë midis 8 më të mirave të Serisë A2 dhe tashmë Erblira Bici do të nisë një aventurë të re në kampionatin e rrjetës së Apenineve. Një ditë pasi ka njoftuar mbylljen e kontratës me Futura Volejin e Busto Arsizios, 26-vjeçarja ka bërë të ditur edhe destinacionin e saj të ri.

Bëhet fjalë për Roma Volejin, skuadrën që ra nga Seria A1 këtë sezon, por që synon rikthimin sa më shpejt në nivelin më të lartë të Kampionatit Italian të Volejbollit për Femra.  Dhe një nga shtyllat kryesore të projektit të skuadrës kryeqytetase është edhe kapitenia e Kombëtares kuqezi të rrjetës, e cila, pas 4 titujve “kampion” dhe 5 Kupave të Shqipërisë të fituara më herët, në 2016-ën u zhvendos në Itali, aty ku spikati në dy sezone me LPM Mondovinë në Serinë A2, duke vijuar të zhvendoset në Serinë A1 për dy sezone me Novarën, me të cilët fitoi edhe Kupën e Italisë, por u shpall edhe kampione e Evropës për klubet.

Më pas vijuan dy sezone të tjera në Serinë A1, me Busto Arsizion dhe Kuneon, ndërsa sezonin e shkuar spikati në A1 me Futura Volejin. Diagonalistja 1 m e 86 cm e lartë shihet si një përforcim cilësor i Romës, ndërsa vetë lojtarja ka shprehur kënaqësinë për këtë hap, duke thënë: “Më kanë folur shumë mirë për klubin dhe mjedisin në të. Kukarini është një trajner i njohur dhe fakti që ai më ka kërkuar, më nderon.

Dhe unë dua të jap gjithçka për këtë skuadër, sepse e di që të luash për Romën është një privilegj dhe mezi pres të filloj. E di që tifozët e e Romës janë të veçantë dhe shpresoj të më presin dhe të më mbështesin jo vetëm mua, por të gjitha vajzat.

I vetmi premtim që mund t’u bëj, është që do të jap maksimumin, në mënyrë që ta rigjejnë Serinë A1, duke e fituar e fituar A2-shin”, - ka përfunduar volejbollistja shqiptare, Erblira Bici, duke folur për faqen zyrtare të Roma Volejit.