RTSH Sport Live

Erkand Qerimaj, me objektiva të qarta në Botëror

  • 06/12/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Erkand Qerimaj, me objektiva të qarta në Botëror
Forma sportive e mirë e bëjnë që të mendojë dhe podiumin e medaljeve në Tashkent

Erkand Qerimaj mbetet gjithmonë një vlerë e shtuar për peshëngritjen shqiptare. Dhe i tillë pritet të jetë edhe në Kampionatin Botëror të Uzbekistanit, ndërsa më 11 dhjetor do të jetë në pedanë në peshën 73 kilogram. Ndodhet në ditët e fundit të përgatitjeve për këtë Botëror, gjithnjë nën drejtimin e trajnerit Zef Kovaçi, ndërsa për RTSH Sport tregon formën e tij aktuale dhe se çfarë pritet nga Erkand Qerimaj.

“Forma ka qënë e mirë dhe kemi bërë shumë stërvitje. Shpresoj që e gjithë kjo stërvitje të na shrëblehet në garë. Të jemi mirë këto ditë të fundit, të mos kemi problem dhe të arrijmë rezultate në Botëror”.

Në një farë mënyre e di se kë do të ketë kundërshtar. Ndaj dhe ka nisur të ndërtojë strategjitë e tij për garën e së shtunës së Tashkent.

“Vetë fakti që jemi në garë, sfidë e hapur për të gjithë, shpresojmë të arrijmë objektivat tona, atë që kemi arrit në stërvitje. Kundërshtarët secili ka punën e vet, ne kemi punën tonë”.

Por cilat janë parametrat, apo peshat për të nisur garën në stilin e shkëputjes dhe të shtytjes?

“Sekrete profesionale, pastaj I japim informacion kundërshtarit”.

Përsëri në podiumin e medaljeve?

“Për atë po luftojmë”.

E Qerimaj sheh dhe përtej këtij Botërori, ndërsa tregon aktivitetet dhe objektivat për vitin 2022.

“Kemi Kampionatin Europian, Lojërat Mesdhetare dhe më pas Kampionatin Botëror”.