RTSH Sport Live

Ertian Kofsha mes sfidave të mëdha

  • 18/02/2023
  • |
  • Sporte të tjera
Ertian Kofsha mes sfidave të mëdha
Kampioni i Europës për moshën deri në 17 vjeç për vitin 2022 synon të tjera medalje

Ertian Kofsha, Kampioni i Europës për moshën deri në 17 vjeç në peshëngritje në gusht 2022, tanimë është duke u përgatitur për objektiva më të mëdha. Do të jetë pjesëmarrës në Kampionatin Europian të të rriturve në Armeni. Më pas në Kampionatin Europian të të rinjve në Bukuresht dhe në Botërorin e të rinjve në Meksikë. Prej tij kërkohet medalje

"Besoj se me punë dhe duke u stërvitur me profesorin ditë për ditë do t'ia arrijmë qëllimit. Kemi një muaj që jemi grumbulluar tek Resort "Fafa". Besoj se do të arrijë dhe medalje ari", thotë Kofsha.

Por cilat janë shifrat që do të mund ta ngjisin në podiumin e medaljeve Kofshën në këto aktivitete?

"Shifrat 153 kg në shkëputje dhe 180 kg në shtytje", tregon peshëngritësi shtërmenas.

E që nga gushti 2022 e deri më tani gjendja e sportistit është e mirë për të cilën tregon dhe vetë

"Është një ndryshim goxha i madh pasi jam përgatitur seriozisht pasi kampionatet e radhës që do të vijnë janë akoma më të fuqishme. Pretendoj për një medalje në Kampionatin Europian të të rriturve, që do të zhvillohet në prill në Armeni. Pse jo të mos e marrë një medalje atje", thekson Ertian Kofsha

Në këtë mënyrë peshëngritja shqiptare vijon përgatitjet për të gjitha aktivitetet ndërkombëtare të vitit 2023, por në fokus mbetet Kampionati Botëror i moshave 15 dhe 17 vjeç më 25 mars – 3 prill në Durrës.