RTSH Sport Live

Erzeni në Superiore, jo kalimtar

  • 03/11/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Erzeni në Superiore, jo kalimtar
Skuadra e Kapllanit tregoi karakter edhe në ndeshjen e radhës

Erzeni nuk heq dorë. Kur një ndeshje nuk mund të fitoohet, atëherë është mirë që të mos e humbasësh dhe kjo është motoja e skuadrës shijakase në këto 11 javë të para të Kategorisë Superiore. Në “Niko Dovana”, debutuesit pritën Kastriotin që është një nga skuadrat më në formë të momentit dhe krutanët i treguan muskujt që në fillim me Grecën duke krijuar iluzionin se do të ishin ata skuadra që do t’i shkaktonte humbjen e tretë të sezonit Xhevahir Kapllanit por me kalimin e minutave, vendasit gjetën ritmin dhe morën masat për të ngritur digën mbrojtëse e për të organizuar ndshjen e tyre.

Barazimi i minutës së 56-të me Nonaton gjithmonë e më shumë protagonist, tregon jo vetëm forcën fizike por edhe atë të karakterit. Një skuadër që nuk dorëzohet asnjëherë, as kur është në disavantazh. E tregoi këtë Erzeni në barazimin e Shkodrës dhe e konfirmoi në ndeshjen e së mërkurës.

Vizitorë këtë sezon në fushën e shijakasve nuk do të ketë sepse kjo skuadër nuk di dhe nuk dëshiron të humbasë, për t’u konfirmuar minimalisht edhe një sezon tjetër në Superiore ku u rikthye pas plot 19 viteve.