RTSH Sport Live

Eto'o eviton burgun, pranon të paguajë 5.6 milionë euro

  • 20/06/2022
  • |
  • Të tjera
Eto'o eviton burgun, pranon të paguajë 5.6 milionë euro
Gjykata e Barcelonës kishte kërkuar katër vjet e gjysmë burgim dhe 14.3 milionë gjobë: shkeljet datojnë në vitet në të cilat kamerunasi luante në Katalonjë

Katër shkelje tatimore, të lidhura me të drejtat e imazhit dhe të kryera ndërmjet viteve 2006 dhe 2009, i kushtuan Samuel Eto'o 5.6 milionë euro. Kështu vendosi seksioni i njëmbëdhjetë i Gjykatës Penale të Barcelonës, duke pranuar marrëveshjen e propozuar - të arritur para se të mbahej gjyqi - mes ish-lojtarit të katalanasve dhe Prokurorisë, e cila në fakt kishte bërë kërkesa shumë më të lartë.

Prokuroria në fakt kishte kërkuar katër vjet e gjysmë burgim dhe 14.3 milionë gjobë, për t'u kënaqur vetëm me një vit e dhjetë muaj paraburgim dhe pagesën e 1.8 milionë eurove. Eto'o, megjithatë, nuk do të shkojë në burg dhe do të dëmshpërblejë autoritetet spanjolle tatimore me shumën 3.8 milionë.

Kameruniani pranoi se ai kishte transferuar një pjesë të të ardhurave për të drejtat e imazhit te një kompani me bazë në Hungari; në këtë mënyrë, ato para nuk do t'i nënshtroheshin taksimit spanjoll, duke aplikuar një normë më të ulët për shumën e deklaruar realisht.

Eto'o i pranoi krimet, por tregoi si përgjegjës për këto veprime një nga bashkëpunëtorët e tij, José Maria Mesalles, i cili mori të njëjtin dënim. “Ishte ai që u kujdes për këto aspekte, atëherë unë isha fëmijë. Gjithmonë kam bërë atë që më ka thënë, por do të paguaj”, tha ai para gjyqtarit. I blerë nga Barcelona në vitin 2004, ai ishte 25 vjeç në fillimin e shkeljeve. Në vend të kësaj, drejtori i kompanisë, Manuel de Jesus Lastre, u shpall i pafajshëm për mospërfshirje në ngjarje.