RTSH Sport Live

EURO 2020, futbolli shëtit në 11 vende

  • 10/06/2021
  • |
  • Futboll Bota
EURO 2020, futbolli shëtit në 11 vende
Franca e nis favorite, Amglia, Gjermania, Spanja dhe Italia në radhën e dytë

11 vende pritëse, 24 skuadra, Dublini dhe Bilbao të larguar nga formati dhe Sevilla e shtuar në muajin prill. Pandemia trazon letrat e kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit europian dhe këtë nisi ta bënte më shumë se një vit më parë me shtyrjen e evenimentit ndërsa sot, për herë të parë, një europian do të zhvillohet me dyer pjesërisht të mbyllura. Kjo është përmbledhja që mund t’i bëjmë me pak rreshta parantezës së këtij europiani që si për ironi mban ende vitin 2020 në logon zyrtare edhe pse do të luhet një vit më pas kur dinamikat kanë ndryshuar dhe skuadrat nuk janë më të njëjtat.

Edicioni i 16 i Kampionatit Europian starton në 11 Qershor nga Roma dhe e mbyll rrugëtimin 1 muaj më pas në Londër në vitin e 60 të themelimit të këtij turneu.  Amsterdami, Baku, Sevilla, Bukureshti, Budapesti, Kopenhageni, Gllasgou, Londra, Muynihu, Roma dhe Shën Peterburgu përfshijnë gjithë shtrirjen gjeografike të një kontinenti modest në përmasa por të pambarimtë në burime financiare dhe sportive.

Çdo komb pritës do të luajë minimalisht 2 ndeshje në shtëpi ndërsa gjysmëfinalet dhe finalet do të luhen të gjitha në “Ëembley” të Londrës. Në aspektin sportiv, pikëpyetjet janë të shumta. A do të mundë Franca të shkruajë historinë? A mundet Anglia ta mbajë presionin, po Cristiano Ronaldo a do të mund të vazhdojë ta udhëheqë Portugalinë? Kush do të jetë Islanda e këtij edicioni?

Franca arriti të fitonte një europian pas një botërori në vitin 2000 dhe sot është skuadra më e kuotuar, por pas rreshtit të parë, Gjermania, Italia apo Spanja shpresojnë që “Gjelat” të reflektojnë pikat e dobëta që janë mungesa e harmonisë në një grup që mbetet i përcarë.

Një europian i pazakontë pasi për herë të parë do të luhet në më shumë se dy vende, një ide e shpalosur kohë më parë nga Michel Platini ndërsa shkallët e stadiumeve janë në pritje të njerëzve që për më shumë se 1 vit kumbuan me heshtjen e tyre. Pjesërisht por me njerëz të pranishëm. Kjo ishte fitorja më e madhe UEFA-s që premton një europian si asnjëherë më parë.