RTSH Sport Live

Europiani U16, Shqipëria tjetër humbje

  • 14/07/2022
  • |
  • Basketboll
Europiani U16, Shqipëria tjetër humbje
Vajzat kuqezi janë mundur në Korçë nga Andorra, 48-66

Në Korçë, në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla”, ka vijuar Kampionati Europian i moshës deri në 16 vjeç në basketboll për vajza, Divizioni C. Vajzat kuqezi, të cilat drejtohen nga Aleksandër Damo, kanë pësuar humbjen e dytë, ndërsa janë mundur nga Andorra, 66-48. Një ndeshje e dominuar nga fillimi deri në fund prej mikeshave, të cilat kanë luajtur më mirë dhe për rrjedhojë e kanë patur më të lehtë suksesin. 9-18 perioda e parë për Andorrën.

11-14 e dyta për Andorrën dhe në pushim Shqipëria është në disavantazhin 20-32. 13-15 për Andorrën e treta, që thellon në 33-47. E fundit 15-19 dhe Andorra merr suksesin e dytë në grup, teksa ka regjistruar shifrat, 48-66. Për Shqipërinë lojtarja më e mirë ishte Martina Haxhiu me 6 pikë të shënuara, 15 kapje topi në tabelë, 4 rrëmbime topi në aksion e sipër dhe 5 bllokime. Ndërkohë Shqipëria e moshës deri në 20 vjeç për vajza ka regjistruar humbjen e katërt, ndërsa në Shkup është mundur nga Ukraina, 79-52.

Por me humbje ka dalë dhe Shqipëria e moshës deri në 16 vjeç për djem, që në Prizren, kjo në Europianin e kësaj moshe, është mundur nga Kosova, 65-71. Kështu të tre përfaqësueset kanë dalë me humbje, ndërsa e premtja zbret në fushën e lojës dhe Shqipërinë e moshës për 20 vjeç në Tbilisi, ndërsa ndeshjen e parë do ta ketë ndaj Zvicrës.