Kampionati Europian i moshës deri në 17 vjeç për djem në volejboll është mbyllur me një festë gjigante në sallën olimpike “Feti Borova”, ndërsa Sllovenia është shpallur fituese për herë të parë. Rusia në vendin e dytë dhe Polonia në vendin e tretë, kurse ndërkombëtarët kanë vlerësuar organizimin e Federatës Shqiptare të Volejbollit, e cila për herë të dytë merr përsipër një Kampionat Europian. Dhe në mikrofonin e RTSH Sport ka ardhur anëtari i bordit ekzekutiv të Federatës Europiane të Volejbollit, Zdeslav Barac.
“Për mua si individ dhe për të gjithë bordin ekzekutiv të CEV vlerësimi është maksimal për organizimin që ka bërë Federata Shqiptare e Volejbollit në këtë Europian. Unë shpresoj që ky kompeticion i zhvilluar për një javë në Tiranë të jetë një shtysë për të gjithë për t’u afruar dhe më pranë sportit të volejbollit”.
Ndërkohë Barac ka vlerësuar dhe nivelin e dymbëdhjetë skuadrave pjesëmarrëse, që parë dhe nga transmetimi i Radio Televizionit Shqiptar kanë treguar një volejboll sikur të ishin skuadra të rriturish e jo 17-vjeçar.
“Për ne ky Europian i kaloi pritshmëritë në nivelin e lojës, sepse të gjithë kanë treguar një nivel të lartë profesional, të paktën për moshën që kanë në fushën e lojës. Pra nuk është e thjeshtë të shohësh këtë nivel tek 15-16 vjeçar, që me siguri janë e ardhmja e volejbollit europian dhe atij botëror”.
Por kur mund të jetë gati tanimë Shqipëria për organizimin e një kampionati të të rriturve, apo të rriturave?
“Shqipëria mund ta marrë një Europian të tillë vetëm kur të mendojë se është plotësisht gati për një aktivitet të tillë. Vullneti nga ana e CEV nuk mungon dhe është pozitiv. Nëse Federata Shqiptare e Volejbollit do të jetë në nivelin e organizimit të një Kampionati Europian të të rriturish, apo të rriturash, atëherë mund ta ketë atë edhe pas dy vjetësh”.
Ndërkohë formacioni më i mirë i Europianit ishte Luka Marovt (Slloveni), Ivan Skvortsov (Rusi), Jakub Novak (Poloni), Tomazo Barroto (Itali), Jurij Oman (Slloveni), Denis Bistrov (Rusi) dhe Maksimilian Granieczni (Poloni). Kurse lojtari më i mirë këtij Europiani, Luka Okorn (Slloveni)
“Jemi shumë krenar me skuadrën tonë. Shumë të lumtur për këtë titull Kampion Europe. Është e jashtëzakonshme si arritje e ne fituam, sepse korrigjuam shumë pas humbjes në grup me Rusinë. Një titull që do ta mbajmë mend gjatë si lojtarë dhe është kontribut i skuadrës që unë jam lojtari më i mirë i kampionatit”.