RTSH Sport Live

Everton, Benitez në prag “divorci”

  • 05/12/2021
  • |
  • Angli
Everton, Benitez në prag “divorci”
Jose Mourinho mund të pasojë spanjollin në stolin e bluve

Everton mund të ndërpresë bashkëpunimin me Rafa Benitez pasi ka nisur kontaktet me stafin e Jose Mourinhos që gjithashtu nuk po kalon një periudhë pozitive në Romë pas një starti katastrofik ku numëron 7 humbje. Spanjolli në Angli është gjithashtu në momentet e fundit si drejtues i stolit të “Toofies” pasi drejtuesit nuk janë aspak të kënaqur me punën e tij. Skuadra nga Liverpooli numëron 7 humbje sezonale dhe aktualisht ka hyrë në një betejë për zonën e mbijetesës.

Gjithsesi, mediat angleze bëjnë me dije se një vendim përfundimtar do të merret pas ndeshjes të së hënës kundër Arsenalit edhe pse pozitat e Benitez duken shumë të lëkundura. Në krahun tjetër, Mourinho nuk ka pranuar asnjë kontakt me klube të tjera pasi në Romë me një pagë vjetore 8 mln Euro dhe një kontratë afatgjatë, ndihet komod edhe pse rezultatet nuk po vijnë.

Verdhekuqtë janë jashtë zonës europiane dhe në dy ndeshjet e fundit nuk kanë grumbulluar asnjë pikë. Disfata 3-0 në “Olimpico” ndaj Interit e thelloi edhe më shumë krizën e rezultateve ndërsa “Special One” nuk konsiderohet më i pazëvendësueshëm. Në Angli, Mourinho ngjall interes jo vetëm tek Everton pasi oferta e arabëve të Newcastle vazhdon të qëndrojë në fuqi.