RTSH Sport Live

F1, nuk ulet pesha e makinave

  • 10/02/2023
  • |
  • Formula 1
F1, nuk ulet pesha e makinave
Skuadrat nuk bien dakort me FIA-n për këtë

Në rregulloren teknike të F1 për botërorin 2023 u publikua pak kohë më parë edhe ulja e peshës së njëvendësheve të garës nga 798 kg në 796 kg të theksuar si pjesë e një shtytjeje të përgjithshme për të pasur përfundimisht makina më të lehta. Në 2022, pesha e makinave u rrit nga 795 kg në 798 kg, për shkak të adaptimit të tyre me ndryshimet e rregullores përsa i përket ngritjes së dyshemesë për të ulur sa më shumë vibrimin sidomos në kthesa, gjë që dëmtonte praqitjen e makinës dhe vetë pilotin.

Por në një takim të komitetit këshillues teknik të FIA-s, u ra dakord që pesha e njëvendësheve të qëndronte në 798 kg  edhe për këtë sezon, në vend që të binte në 796 kg siç ishte menduar fillimisht. Kjo sepse skuadrat nuk ranë dakort që pesha e makinës të ulej, sepse në njëvendëshet e 2023 janë kryer disa ndryshime.

E para është përdorimi i setit të ri të gomave që është paksa më i rëndë këtë sezon si dhe vendosja në çdo makinë e një kutie të re elektronike të mandatuar nga FIA, të cilat kuptohet se shtojnë rreth 0.4 kg krahasuar me atë të 2022.

Pra çdo ekip që e kishte peshën 798 kg vitin e kaluar tani duhet të kompensojë gomat më të rënda dhe artikujt elektronikë në mënyrë që makina të qëndrojë brenda kësaj peshe.