RTSH Sport Live

F1: Pista e Arabisë Saudite, një sfidë më vete

  • 22/03/2021
  • |
  • Formula 1
F1: Pista e Arabisë Saudite, një sfidë më vete
Gara debutuese e këtij sezoni spikat për një numër veçorish që premtojnë spektakël

Botërori i Formulës 1 ngre në fundjavë siparin e sezonit të ri të tij, një sezon që, sikundër edhe dy të tjerët që do të vijnë pas tij, do të përjetohet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht vetëm në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. Një nga risitë e këtij sezoni është edhe pista e Arabisë Saudite.

Pista e Xhid’das në Arabinë Saudite është debutuesja më e fundit në botën e Formulës 1 dhe premton të jetë edhe një nga më të veçanta. Gara e parafundit e këtij sezoni të Botërorit të Formulës 1, e cila do të zhvillohet në një pistë qytetëse, përllogaritet një nga Çmimit e Mëdha që do të ofrojë shpejtësi të madhe mesatare.

Provat elektronike kanë nxjerrë në pah faktin, se, me një shpejtësi prej 252.8 km/orë, pista arabe mund të jetë edhe më e shpejtë se pista e Silverstounit, ndonëse mbetet prapa “Tempullit të Shpejtësisë”, siç njihet pista e Monzës. Por, në të njëjtën kohë, kjo shpejtësi pritet ta bërë Çmimin e Madh të Arabisë Saudite më të shpejtin sa u përket pistave qytetëse, duke lënë prapa atë të “Albert Parku”-ut të Australisë dhe atë të Bakusë, në Azerbajxhan, të “Marina Bei”-t, në Singapor dhe të Montekarlos.

Po kështu, me 6 km e 175 m, pista e Xhid’das është edhe e dyta më e gjata në kalendarin e këtij sezoni, pas pistës belge të Spa-së, duke lënë pas atë të Bakusë, Silverstounit dhe Soçit. Për të njëjtën arsye pista arabe mbetet më e gjata sa u përket pistave qytetëse, duke qenë sidoqoftë vetëm 172 m më e gjatë sesa ajo azere e Bakusë.

 

Një tjetër veçori e kësaj piste është se ajo do të ketë më shumë kthesa sesa çdo pistë tjetë. Me 27 kthesa, ajo do të ketë 4 kthesa më tepër sesa pista e Singaporit dhe 6 më tepër se ajo e Abu Dhabit në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa vlen të theksohet se do të jetë e gjitha e sheshtë.

 

Dhe së fundi, numri i saktë i zonave ku do të përdoret DRS-ja mbetet për t’u përcaktuar nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit, FIA, por pista është projektuar me të paktën 3 zona të tilla. Me pak fjalë, me një pistë të sheshtë që favorizon parakalimet, pista e Arabisë Saudite premton të dhurojë spektakël dhe drithërima, në një sezon që, sikundër edhe dy të tjerët që do të vijnë pas tij, do të përjetohet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht vetëm në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.