RTSH Sport Live

Fabio Kuartararo, një rendje drejt historisë

  • 16/10/2021
  • |
  • Moto GP
Fabio Kuartararo, një rendje drejt historisë
Piloti francez do t’u bashkohet 15 të famshmëve të tjerë që kanë triumfuar në Moto GP

Piloti i skuadrës zyrtare të “Jamaha”-s, Fabio Kuartararo,do të ketë mundësinë e parë të tij për të fituar titullin e kampionit të botës fundjavën e ardhshme në Çmimin e Madh të Italisë në pistën e Emilia-Romanjës dhe, nëse francezi e bën të tijën kurorën e çmuar, ai do të bëhet pjesë e një klubi të famshëm dhe të veçantë të 15 pilotëve. I mbiquajturi “El Diablo” (Djallushi) tërhoqi vëmendjen e botës së motoçiklizmit kur fitoi dy herë radhazi titullin e kampionit të botës në kampionatin e të rinjve në në 2013-ën dhe 2014-ën. Dhe nuk ishte e papritur që, kur ai bëri debutimin e tij Kampionatin Botëror të Motoçiklizmit, pritshmëritë ishin të larta.

Por, ndonëse titujt e fituar me herët nuk u materializuan në dy nivelet më të ulëta, në Moto 3 dhe Moto 2, tanimë, në vitin 2021, 22-vjeçaro është pranë sigurimit të të parës kurorë të kampionit të botës në nivelin më të lartë, në Moto GP. Nëse Kuartararo do t’ia dalë ta mbajë prapa rivalin për titull, Françesko Banjanjën e “Dukati”-t deri në finalen e madhe të Valencias, ai do të bëhet piloti i 16-të në histori që e fiton titullin në nivelin më të lartë, pa e shijuar këtë sukses në dy nivelet më të ulëta.

Në fakt, Kuartararo ka mundësi të bëhet i pari pilot evropian që do ta arrinte një gjë të tillë që nga 1982-shi, kur Franko Unçini u shpall “kampion”. 3 pilotët e fundit që kanë fituar titullin e kampionit të botës në Moto GP, Joan Miri i “Suzuki”-t, Mark Markezi i “Honda”-s dhe Horhe Lorenco, e kanë bërë këtë pasi kanë fituar të paktën një titull në dy nivelet e ulëta. Natyrisht, nuk ka manual sesi të bëhet kampion i botës në Moto GP, teksa Kejsi Stoner cilësohet si një nga më të mëdhenjtë, por australiani nuk fitoi kurrë një titull në kategorinë 125cc apo 250cc.

Ndërsa kampioni i 2006-ës, i ndjeri Niki Hejden, as nuk garoi në nivelet më të ulëta, por shkëlqeu në Moto GP. Pjesë e këtij klubi të 15 pilotëve janë Kenny Roberts i ri dhe i ati, Keni Roberts, por edhe Mik Duhani, Kevin Shuonci, Uejn Reini, Edi Louson, Uejn Gardneri, Fredi Spenseri, Unçini, Marko Luçineli, Berry Shiin, Libero Liberati dhe Umberto Maseti. Por, a do t’i bashkohet Fabio Kuartararo kësaj liste historike? Koha do ta tregojë...!