Vangjel Koja, ish-trajneri i Dinamos në volejboll për meshkuj dhe i kombëtares së Shqipërisë, një legjendë e rrjetës për djem, është respektuar të dielën në kupën nën emrin e tij. Një organizim i Akademisë Barleti, kjo me mbështetjen e Federatës Shqiptare të Volejbollit, ndërsa ky aktivitet ka ndërthurur ekipet e moshës deri në 17 vjeç me ato të moshës deri në 19 vjeç. Katër skuadra ishin pjesëmarrëse më saktë Farka Volej, Elbasani, Partizani dhe Akademia Barleti.
Në raundin gjysmëfinal Elbasani mundi Partizanin 2-0, kurse Farka Volej, Akademinë Barleti, 3-1. Në finale Farka Volej e trajnerit Erin Sejati fitoi 2-0 me Elbasanin. Trofeun ekipit fitues ia dorëzoi legjenda e rrjetës shqiptare, Vangjel Koja, Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, dhe Presidenti i Akademisë “Barleti”, Fredi Fushëza.