RTSH Sport Live

Faruk Sejdini dhe Dinamo në elitë

  • 26/04/2023
  • |
  • Futboll Vendi
Faruk Sejdini dhe Dinamo në elitë
Drejtori teknik i bluve analizon situatën aktuale dhe kthimin në Kategorinë Superiore

Dinamo është jeta e tij. Sa herë ta thërrasësh, aq herë përgjigjet pozitivisht për të qenë pranë fanellës blu në çfarëdolloj roli. Ky është Faruk Sejdini, sot në pozicionin e drejtorit teknik, ndërsa tregon për RTSH Sport vendimi e tij për të qenë në skuadrën e Dinamos.

Për mua është një kënaqësi me të vërtetë shumë e madhe. Fakti që i vogël jam rrit tek Dinamo dhe tani në këtë moshë që jam u riktheva përsëri dhe të jap atë që mundëm ndihmesën time për ta rikthyer Dinamo atje ku duhet", shpjegon legjenda Faruk Sejdini.

Trajner kampion me blutë, kjo në sezonin 2001-2002, por a do të pranonte sot t’i vishte dhe një herë tutat e të drejtonte skuadrën në stërvitje dhe në ndeshje?

"Unë shkoj çdo ditë atje. Pse jo ndonjë ditë do t'i vesh edhe tutat, por kur të kemi pak komoditet", përgjigjet Sejdini.

Dinamo është rikthyer në Kategorinë Superiore, kurse presidenti i bluve, Adrian Bardhi, ka konfirmuar stafin teknik me në krye Dritan Mehmetin. Dhe për Sejdinin kjo është zgjedhje ideale që ka bërë presidenti.

"Mendoj që ka bërë shumë mirë sepse është një Dritan Mehmeti, një trajner, pa harruar Pinarin, që punon shumë, e njeh futbollin shumë dhe me të vërtetë në këto kohë që kam punuar me të, pasi e njoh vetëm si futbollist, me të vërtetë më ka befasuar”, miraton Sejdini.

Por sa është në gjendje kjo skuadër të përballojë Kategorinë Superiore?

"Ky ekip kështu siç është e ka shumë të vështirë ta përballojë Kategorinë Superiore. Apo ky grup lojtarësh. Kjo skuadër kërkon rregullime. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në përzgjedhjen e lojtarëve", përgjigjet Faruk Sejdini.

E ndërkohë në raport me ekipet e tjera të Kategorisë së Parë si ishte Dinamo?

"Ishte një perfeksion në organizim dhe në kushtet që kishin lojtarët. Besoj se këto kushte do rriten akoma dhe më shumë pasi ne tani do të kemi selinë tonë. Që do të thotë hotelin, restorantin, fushat tona. Dhe do ta kemi pak më të lehtë. Nuk do të ikim poshtë e përpjetë për t'u stërvitur", tregon drejtori teknik i bluve.

Dinamo tashmë ka Akademinë e saj të futbollit me ekipet që nga U-8 deri tek U-21. Si e sheh perspektivën e bluve Faruk Sejdini?

"Në riorganizimin e ri e që do të shkojmë në klubin e ri këto hallka besoj se do të forcohen akoma dhe më shumë. Sepse do të jemi aty të gjithë bashkë dhe aty do të shohim edhe ndonjë lojtar 17 vjeç që mund t'i vlejë ekipit të parë, sepse i kemi aty gjatë gjithë kohës", pranon Faruk Sejdini.

A i mungonte realisht Kategorisë Superiore Dinamo dhe çfarë do të ndodhë me kthimin e bluve në elitë pas një viti mungesë?

"Dinamo do t'i shtojë jo vetëm konkurrencën, por dhe bukurinë kampionatit shqiptar. Pasi kishte ngelë derbi Partizani - Tirana, tani do të shtohet edhe Dinamo dhe kështu që ky trekëndësh, pa i heq meritat ekipeve të rretheve, do t'i kthejë kryeqytetin kohët e mëparshme dhe bashkë me to dhe tifozët", përfundon legjenda blu, Faruk Sejdini.