RTSH Sport Live

Federatat, 160 milionë lekë më shumë

  • 18/05/2022
  • |
  • Të tjera
Federatat, 160 milionë lekë më shumë
160 milionë lekë shtesë për t’i dhënë mundësinë të gjithëve për përfaqësim më të plotë

Rritet buxheti financiar i Federatave Sportive, ndërsa ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ka bërë të ditur vendimin e Qeverisë, që është marrë të mërkurën. Bëhet fjalë për një shtesë prej 160 milion lekësh për t’i dhënë mundësinë të gjithëve të përfaqësohen në arenën ndërkombëtare.

“Qëllimi i këti vendimi është që të garantohet mbështetja për vazhdimësinë e aktiviteteve nga federatat sportive. Në fakt, buxheti fillestar i akorduar ishte i pamjaftueshëm për ti plotësuar të gjitha nevojat e tyre, që të marrin pjesë në kampionate. Me këtë shtesë do të jetë e mundur dhe do shmangin rrezikun që Shqipëria të mos përfaqësohej, të gjobitej apo të cënohej imazhi i sportit shqiptar në arenën ndërkombëtare”.

Madje Kushi ka përmendur dhe shtesat financiare për sportistët elitarë, që janë të barasvlefshme në trajtim si të gjithë sportistët e Bashkimit Europian. E gjithçka vjen për nxitjen e rritjes së rezultateve sportive, apo të masivitetit për të bërë sport.

“Kjo ka korresponduar me një periudhë të suksesshme. Sportistët tanë elitarë kanë sjellë medalje, si Briken Calja, por dhe shumë sportistë të tjerë. Nëpërmjet kësaj shtese ne do të mundësojmë që nesër t’i shpërblejmë të gjithë këta sportistë që na kanë përfaqësuar denjësisht në arenën ndërkombëtare”.

Në këtë mënyrë, thirrja e Federatave Sportive më 8 prill, kjo pas takimit që bëri Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar me të gjitha palët e interesuara, nuk ka rënë në vesh të shurdhët. Përkundrazi tani kemi buxhete të plotësuara dhe Federata Sportive që do të shkojnë dhe më të plotë në aktivitetet ndërkombëtare.