RTSH Sport Live

Federer rikthehet në verën e 2022-shit

  • 17/11/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Federer rikthehet në verën e 2022-shit
Ish-numri 1 i botës po rehabilitohet nga ndërhyrja në gjurin e djathtë

Roger Federer shtyn kohën e rikthimit në fushat e tenisit. Zvicerani bën me dije se ka planifikuar që të luajë sërish në nivele profesioniste gjatë muajve të verës, cka do të thotë se me siguri ai do të humbasë grand slamin e parë të madh të sezonit që do të zhvillohet në javët e para të 2022-shit në Australi. “Përpara operacionit e dinim që do të më duhej një muaj për t’u rikuperuar por kohën e vendosin mjekët dhe ata kanë vendosur ta shtyjnë shumë afatin.

Më kanë thënë se mund të rikthehem të vrapoj vetëm gjatë muajit janar dhe stërvitjen mund ta rifilloj gjithashtu në të njëjtën periudhë. Mendoj se situate do të jetë më e qartë gjatë pranverës dhe unë dua të kem përgjigje përfundimtare nëse mund të rikthehem edhe një herë në nivelet profesioniste”, thekson fituesi i 20 titujve grand slam. Brenda një viti e gjysmë, Federer është operuar për herë të tretë në gjurin e djathtë pasi në ndërhyrjen e fundit, mjekët u detyruan t’i rinaronin meniskun e pjesës së brendshme.

Objektivi  tij kryesor ka qenë rikthimi në jetën normale, por nëse gjuri do ta lejojë, ai mund të vazhdojë të luajë në nivele të larta edhe pse tashmë është në kufirin e 40 viteve mbi supe dhe do të jetë shumë e vështirë që mbreti i raketës të rifitojë këtë nofkë. “Për të qenë të qartë. Bota ime nuk do të rrëzohet nëse nuk luaj më një finale grand slam por dua të theksoj se ëndrra ime e fundit është të rikhehem edhe një herë në fushë”, shton Federer në rrëfimin e gjatë për një televizion në vendlindje.