RTSH Sport Live

Femra/ Kombëtarja shqiptare, miqësore me Bosnje-Hercegovinën

  • 30/03/2021
  • |
  • Kombëtarja
Femra/ Kombëtarja shqiptare, miqësore me Bosnje-Hercegovinën
Skuadra e drejtuar nga trajneri Armir Grima do të luajë kundër Bosnje-Hercegovinës më 9 prill në Zenica, ora 16:00

Shqipëria e futbollit të femrave, e cila drejtohet nga Armir Grima, do të luajë ndeshjen e parë zyrtare për vitin 2021. Bëhet fjalë për miqësoren me Bosnje-Hercegovinën, e cila do të zhvillohet më 9 prill në Zenica, në orën 16.00.

Kjo ka qënë marrëveshja që dy Federatat e Futbollit, ajo shqiptare dhe ajo boshnjake kanë bërë me njëra tjetrën. Për këtë miqësore, Kombëtarja e Shqipërisë do të grumbullohet që nga data 5 prill në kompleksin “Gardenland” në Shkodër, ku do të qëndrojë dy ditë dhe më 7 prill do të niset drejt Bosnje-Hercegovinës. Në ditët në vijim, do të bëhet publike edhe lista e futbollisteve të grumbulluara nga trajneri Armir Grima.

Për herë të fundit në fushën e lojës, Shqipëria e femrave ka zbritur më 1 dhjetor, ndërsa u mund 1-0 në transfertën e Portugalisë, që shënoi dhe fundin e kualifikueseve të Kampionatit Europian, “Angli 2022”.