RTSH Sport Live

Ferit Keta shpallet kampion bote në kikboks

  • 15/08/2021
  • |
  • Sporte të tjera
Ferit Keta shpallet kampion bote në kikboks
 Triumfoi në 3 raunde ndaj holandezit Blokland, në një transmetim maratonë në RTSH Sport

Ferit Keta është shpallur të shtunën “kampion bote” në kikboks. Sportisti nga Bulqiza, mposhti holandezin Guijermo Blokland, në duelin e zhvilluar në Kalanë e Bashtovës në Rrogozhinë.

Vetëm 3 raunde nga 5 në total, i mjaftuan Feritit për të triumfuar, duke e dominuar totalisht kundërshtarin. Në dy raundet e para ia doli të hidhte në tapet kundërshtarin, por holandezi rezistoi sa mundi, deri sa në raundin e tretën u detyrua të dorëzohej pas goditjes fatale të shqiptarit.

Në një përballje historike dhe në një kala historike, atë të Bashtovës, por edhe në një transmetim maratonë prej plot 4 orësh, që erdhi drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht për sportdashësit në kanalin RTSH Sport të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, Keta mundi të fitojë gjerdanin e artë botëror në IKBF, në peshën “cruiser”, pasi mposhti në raundin e 3-të me rrëzim në tapet holandezin Blokland, duke regjistruar suksesin e 15-të radhazi në ring e duke qëndruar i pamposhtur.

Ndaj një rivali me një përvojë prej 44 ndeshjes, me 24 fitore dhe 16 humbje, Keta tregoi dhe njëherë tjetër forcën e tij në ring, duke mos e vendosur për asnjë sekondë në diskutim suksesin për gjerdanin e artë e duke lumturuar të gjithë të pranishmit në një mbrëmje emocionuese.